Flash News

KRYESORE

Protesta e biznesit, Erjon Braçe përdor alibinë e ‘Rrugës së Kombit’: Qeverisë i mungoi komunikimi; synojmë ‘të mëdhenjtë’

Protesta e biznesit, Erjon Braçe përdor alibinë e

Njihet si një prej mjeshtrave të komunikimit në politikën shqiptare, por Edi Rama duket se po përpiqet t’i fshehë dështimet e tij pikërisht te kjo mjeshtëri e tij. Ashtu siç ndodhi me tarifën në ‘Rrugën e Kombit’, edhe pakënaqësia e biznesit të vogël kundër uljes së pragut të tvsh-së po justifikohet nga socialistët si rrjedhojë e mungesës së komunikimit dhe sqarimit nga ana e qeverisë.

Deputeti i PS, Erjon Braçe, i cili drejton edhe Komisionin e Ekonomisë, ka deklaruar në ‘Report Tv’ se kjo masë nuk synon goditjen e biznesit të vogël, por kontrollin e biznesit të madh. Sipas tij, ky vendim nuk është sqaruar siç duhet nga administrata fiskale dhe se qeverisë i ka munguar komunikimi. Ai është shprehur se këto qëndrime ia ka bërë të ditur kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Financave, Arben Ahmetaj.

“Masa synon formalizimin e transaksioneve në treg. Na duhet aleanca me biznesin e vogël, për të kontrolluar grosistët e mëdhenj. Në këtë rast mungon komunikimi i qeverisë. E gjithë administrata fiskale, që nga dhjetori që morëm këtë masë për të formalizuar ekonominë duhet të kishin trokitur në çdo dyqan me letër në dorë për të treguar se cili do të ishte efekti. Këtë ia kam thënë kryeministrit dhe ministrit të Financave”, ka thënë Braçe.

Brenda dy javëve, mungesa e komunikimit nga Edi Rama, që pretendojnë socialistët, i ka kushtuar Shqipërisë dhjetëra protesta, djegie sportelesh, 11 persona në burg, policë të plagosur, bllokim rrugësh, mbyllje të bizneseve dhe shumë pasoja të tjera. Gjithsesi, ndryshe nga sa pretendon Erjon Braçe apo Mimi Kodheli, problemi qëndron te taksat e rritura dhe të papritura të qeverisë.

Të fundit