Flash News

KRYESORE

Protesta për Teatrin, Mehmetaj: Absurde pjesëmarrja e policisë, nuk mund të pengohet reagimi i qytetarit

Protesta për Teatrin, Mehmetaj: Absurde pjesëmarrja e policisë,

Nënkryetarja e LSI, Kejdi Mehmetaj e ftuar në Ora News, ka folur për protestat kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.

Duke u ndalur te pjesëmarrja e policisë në këto protesta, Mehmetaj tha se nuk duhej të ishte aty, ndërsa shtoi se qytetarët kanë të  drejtë të protestojnë sa herë të jetë nevoja.

“Në asnjë moment nuk e kam kuptuar se çfarë donte në Teatrin Kombëtar Policia e Shtetit. Policia i përgjigjet ligjeve që janë miratuar në Parlament, ku detyra kryesore është që të mbroj qoftë një institucion, qoftë njeriun apo të kapë banditët.

Qytetarët dje po reagonin për të mbrojtur. Ishte e qartë që nuk kishte asnjë tentativë për të shkatërruar diçka, por po mbronin institucionet nga qeveria. Aty ishin policë që ndanë njeriun nga njeriu, policë të urdhëruar që filluan një konflikt edhe mes vetes apo qytetarëve.

Nuk e dimë mbi çfarë baze apo logjike. Ne jemi duke jetuar në një absurd total. Si mund të pengohet qytetari që të reagojë, që të protestojë, që të kalojë nga një anë e rrugës në tjetrën, që të futet në Teatrin Kombëtar që është pronë e gjithsecilit prej nesh. Është pronë e qytetarëve shqiptarë dhe duhet ta frekuentojnë të gjithë gjatë gjithë kohës.

Kjo nënkupton që pika ku kemi arritur është përtej alarmantes dhe absurdit, dhe nuk është më diskutimi i një godine.

Problemi është që nëse shkatërrohet Teatri Kombëtar do të thotë që ka rënë demokracia në këtë vend. Në këtë kuadër pas një pune mjaft të gjatë, sepse kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit që përbëhet nga artistë të zhanreve të ndryshme, nga anëtarë të Shoqërisë Civile etj, dhe bashkërisht është hartuar kjo marrëveshje në formën e një angazhimi zyrtar që opozita ndërmerr kundrejt raportit që ajo do të ketë në të ardhmen me artin në përgjithësi dhe veçanërisht me TK që ka qenë “patatja e nxehtë” e këtyre ditëve.”-deklaroi Mehmetaj.

 

Të fundit