Protesta që rrëzoi gjysmën e qeverisë, Veliaj mbështet rikthimin e studentëve në shesh: Më kujtojnë veten time

Studentët kanë paralajmëruar se do t’u rikthehen protestave masive, pasi qeveria nuk ka mbajtur premtimet e ‘Paktit për Universitetit’. Për kryebashkiakun Veliaj, është e vërtetë se mazhoranca nuk ka plotësuar gjithë kërkesat e të rinjve, pasi kërkohet më shumë kohë.

Në emisionin ‘Real Story’, Veliaj megjithatë u shpreh se mbështet protestat e studentëve, pasi dinë të artikulojnë mirë dhe se i kujtojnë vetë-vetën kur drejtonte lëvizjen ‘Mjaft’.

“Nuk mund të rrish indiferent dhe të mos e vlerësosh studentët sa mirë artikulojnë. Kërkesat e tyre janë të qarta. Ata pastrojnë gjithçka që hedhin në tokë dhe në fund të ditës qyteti është i pastër. Studentët nuk janë zyrtarë partish politike. Më kujtojnë vetën time, kur fillova në Tiranë me lëvizjen ‘Mjaft’ në 2003”, nënvizoi ndër të tjera Veliaj.

Protesta e studentëve në muajin dhjetor, detyroi kryeministrin Rama të shkarkonte 6 ministra dhe zëvendës/kryeministren Senida Mesi, mes tyre edhe Ministren e Arsimit, Lindita Nikolla që u zëvendësua nga Besa Shahini.