Flash News

KRYESORE

Protestat, gazetarja kërkon vëmendje për policët: Nuk kanë bërë një ditë pushim dhe nuk paguhen. Sërish quhen ‘ngelësa’

Gazetarja e kronikës në ‘News 24’, Dorjana Bezat ka publikuar një reagim për qindra policë që po përballen me stinën e protestave që ka përfshirë këto muaj të gjithë vendin. Bezat vë në dukje se policët rrinë në heshtje, monitorojnë, punojnë 16 orë duke qëndruar në këmbë, nuk bëjnë asnjë ditë pushim dhe sërish nuk paguhen për këtë punë, por përballen me një mal sharjesh.

Ajo thekson se policët kanë një mijë e një arsye për të protestuar, por nuk e bëjnë pasi vendosen në rresht përballë protestave të grupeve të tjera, ndërkohë mbeten gjithmonë të sulmuarit dhe të tradhtuarit.

“Studentet protestojnë! Banorët e Unazës së Re po ashtu. Protestojnë... E dini kush rri në heshtje dhe monitoron gjithçka; punon 16 orë; qëndron në këmbë; mungon ditët e pushimeve dhe të festave në shtëpi etj., etj. Janë policët! Kanë që në 3 nëntor pa bërë një ditë pushim. Nuk janë paguar për këtë! Shpërblim kanë marrë 1 mal sharjesh, ndonjë kapsollë dhe vezë kokës. Disa prej jush mund të thonë është detyra e tyre, këtë profesion kanë zgjedhur. Po është e vërtetë. Por kurrësesi asnjë prej tyre nuk ka zgjedhur të nëpërkëmbet e zhvlerësohet. Më besoni policët kanë një mijë e një arsye për të protëstuar, por se bëjnë e rrinë rresht për një përballë protestave të të tjerëve. Dhe përsëri ata mbeten më të sulmuarit. Jo vetëm prej turmave, por për fatkeqësinë e tyre edhe prej të vetëve. Tradhetohen, braktisen, sulmohen...”, shkruan gazetarja.

Dorjana Bezat sjellë në vëmendje edhe konkursin të cilit iu nënshtruan së fundmi policët për të fituar një gradë më lartë. Ajo tregon për “zërat” që thonë “se vetëm se nuk fituan disa “të preferuar” të të madhit rezultatet u hodhën poshtë dhe policëve iu vu damka "kopjac".

Gazetarja publikon gjithashtu të dhënat që tregojnë se si disa policë që morën 50 pikë në provimin e parë, pas të ashtuquajturit korrigjim, u ngjitën në 80 pikë duke u shpallur fitues.

“Jo më larg se para disa javësh shumë prej tyre u futën në konkurs për të fituar një gradë më të lartë. Zërat thonë se vetëm se nuk fituan disa “të preferuar” të të madhit rezultatet u hodhën poshtë dhe policëve iu vu damka "kopjac". Skandali vijoi edhe më tej. Për t’iu hedhur hi syve për gradën kryekomisar u sajua një shteg për t’i trajtuar ca të nënës dhe ca të njerkës. U futën pyetjet me shtjellim ç'ka solli edhe pretekstin për rikorigjim të disa tezave. Dhe rikorigjimi e bëri mrekullinë! Disa punonjës policie nga 50 pikë falë rikorigjimit fitonin 80 pikë dhe dilnin fitues. Ndërsa këta të tjerët vijuan të jenë fundi i listës, humbës, ngelës. Ngelës aq sa ata studentë që po tundin vendin sot”, shprehet gazetarja.

Të fundit