Flash News

KRYESORE

Provimet e maturës, çfarë do përmbajë testi

Provimet e maturës, çfarë do përmbajë testi

Ministria e Arsimit ka miratuar udhëzimin për datat e provimeve të maturës shtetërore 2018, si dhe strukturën që do të ketë testi I i provimit të detyruar dhe atij me zgjedhje.

Datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2018 janë:

Testi i gjuhës së huaj (D3) do të zhvillohet me 4 qershor.

Testi i gjuhës shqipe dhe letërsisë (D1) do të zhvillohet me 8 qershor.

Testi i matematikës (D2) do të zhvillohet në datën 13 qershor.

Testet e dy provimeve me zgjedhje do të zhvillohen më 20 qershor.

Struktura e provimeve të detyruara dhe atyre me zgjedhje

  • Provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2018 do të fillojnë në orën 10:00.
  • Provimet e detyruara do të zgjasin 2 orë e 30 minuta.
  • Provimet me zgjedhje do të zgjasin 3 orë.
  • Testet e provimeve të detyruara dhe atyre me zgjedhje do të hartohen, administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve të arsimit.
  • Testi për secilin nga 3 lëndët që jepen si provime të detyruara do të ketë në përmbajtje 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje me alternativa, që vlerësohen secila me nga një pikë, ndërsa 12 pyetjet e tjera do të jenë me shtjellim, të cilat vlerësohen në total me 37 pikë. Për të marrë vlerësimin maksimal nga provimet e detyruara, maturantët duhet të sigurojnë 50 pikët finale të testit.
  • Teza e provimit “gjuhë dhe letërsi greke”, për shkollën e mesme pedagogjike të pakicës kombëtare greke do të përgatitet nga Drejtoria Rajonale e Arsimit të Gjirokastrës.
  • Teza e provimit “gjuhë dhe letërsi italiane” për seksionet dygjuhëshe shqiptaro-italiane do të përgatitet nga Ministria e Arsimit të Republikës së Italisë, provimi do të zhvillohet në datën 24 maj 2018 në secilën shkollë përkatëse.
  • Teza e provimit “Gjuhë frënge”, (DELF B2 scoilare) për seksionet dygjuhëshe shqiptaro-franceze do të përgatitet nga Ambasada Franceze dhe provimi do të zhvillohet në datën 24 maj në secilën prej shkollave përkatëse.
  • Testet e dy lëndëve me zgjedhje do të kenë në përmbajtje 20 pyetje, 10 prej të cilave do jenë me përgjigje me alternativa, që vlerësohen me nga një pikë secila, ndërsa 10 pyetjet e tjera do jenë me shtjellim dhe vlerësohen me 30 pikë në total. Për të marrë vlerësimin maksimal në secilin provim me zgjedhje, maturantët duhet të sigurojnë në total 40 pikë.
  • Maturantët që do të japin vetëm një lëndë si provim me zgjedhje, pasi tjetrën e kanë kaluar gjatë sezoneve të shkuara do ta fillojnë provimin në orën 11:30 dhe do ta përfundojnë atë në orën 13:00.
  • Në rregulloren e miratuar nga Ministria e Arsimit,Sportit dhe Rinisë bëhet e ditur se për të qenë kalues në këto provime, çdo maturant duhet të marrë detyrimisht 20 për qind të totalit të pikëve me të cilat vlerësohet testi i secilës lëndë.

 

Të fundit