Flash News

KRYESORE

PS mbledh sot Kryesinë, surpriza në kongres për kandidatët e zgjedhjeve lokale

PS mbledh sot Kryesinë, surpriza në kongres për kandidatët e

Partia Socialiste mbledh sot Kryesinë me një rend të gjerë pikash për diskutim.

Situata aktuale politike dhe ngërçi i krijuar që pas vendimit të opozitës për të dalë nga parlamenti ka qenë një nga temat e diskutimit.

Sipas Gazetës Shqiptare, nuk pritet të ketë ndryshim nga strategjia e ndjekur deri më tani nga mazhoranca, për të vijuar plotësimin e vendeve vakante në Kuvend deri në shterimin e listave shumëemërore të partive për të krijuar një Kuvend sa më funksional me një opozitë të re. Gjithashtu, PS do të vijojë të mbajë një qëndrim të prerë për të ofruar dialog me opozitën, por edhe duke u përpjekur që të mos lëshojë pe sa i përket ndryshimit të mundshëm të datës së mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme vendore. Socialistët në vazhdimësi janë përpjekur që të bëjnë të qartë se zgjedhjet do mbahen në datën e dekretuar nga presidenti më 30 qershor.

Po ashtu, një tjetër pikë e diskutimeve të kryesisë së sotme është edhe rendi i ditës së Kongresit që do mbahet të shtunën në 23 mars. Kështu, mësohet se kryesia do të miratojë axhendën e diskutimeve, ku duket se do të mungojë pika për miratimin e listës së kandidatëve për kryetar bashkie siç edhe ishte përcaktuar më parë. Sipas GSH,  në kongres do bëhet prezantim i disa kandidatëve si modele të suksesshme të qeverisjes lokale të PS-së, por nuk do ketë miratim të një liste të plotë kandidatësh. Kjo edhe për vetë faktin se Partia Socialiste nuk ka zhvilluar një proces propozimesh dhe përzgjedhës brenda strukturave të partisë për kandidatët që do konkurrojnë për kryetar bashkie. Të njëjtat burime bëjnë me dije se kjo shtyrje e miratimit të listës së plotë mund të vijë edhe për shkak të situatës politike në të cilën ndodhet vendi. Kështu, socialistët nuk duan që të bëjnë publik gjithë kandidatët e tyre në një kohë kur nuk është ende e qartë nëse zgjedhjet vendore do mbahen në 30 qershor ose jo.

Të fundit