Flash News

KRYESORE

PS zgjedh krerët e Tiranës, një vend edhe për studiuesin Albert Nikolla

Albert Nikolla, pedagog dhe studiues, është angazhuar së fundmi edhe politikisht, duke u bërë pjesë e Partisë Socialiste. Pasi u bë pjesë e Këshillit bashkiak të Tiranës në zgjedhjet e fundit të kontestuara, ku opozita nuk mori pjesë, Nikolla është zgjedhur edhe në kryesinë e Partisë Socialiste të Tiranës, duke marrë detyrën e Sekretarit të për Mediat dhe Shoqërinë Civile.

Lajmin e ka njoftuar nëpërmjet një postimi në Facebook duke shprehur falenderime për PS dhe disa eksponentë socialistë.

Nikolla është autor i disa librave studimorë, më i njohuri prej tyre 'Njeriu i ri shqiptar mes moralit komunist dhe tranzicionit',  i cili ka marrë komplimente nga autorë seriozë si Sami Repishti e të tjerë. Nikolla ështe autor i dy librave të botuar në Itali dhe ka drejtuar për dy mandate Caritas Albania. Ai ka bashkëpunuar me median nëpërmjet analizave dhe komenteve në të përditshmet, duke qenë i pranishëm edhe në studiot televizive.

I doktoruar në Itali për Studime Antropologjike, Nikolla deri dy vitet e fundit është parë më afër së djathtës, duke marrë parasysh edhe lidhjet e tij me Kishën Katolike. I ardhur nga Lezha, afrimi i tij me Partinë Socialiste me sa duket është një lëvizje e Ramës dhe establishmentit të PS për të afruar figura intelektuale nga Veriu të cilat të mund të fshijnë imazhin e keq të krijuar, që nga 2013-a, me përfaqësimin e PS në qarqet mbi Shkumbin me personazhe të inkriminuar dhe të diskredituar më pas nga nisma e opozitës për de-kriminalizim.

Të fundit