Flash News

KRYESORE

‘Pse Albert Veliu ishte person i besueshëm për opozitën?’ Salianji përballet në gjykatë me avokatin e vëllait të ish-ministrit Xhafaj

‘Pse Albert Veliu ishte person i besueshëm për

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji,  gazetari Jetmir Olldashi dhe Fredi Alizoti, po përballen me gjykatën e Tiranës me akuzën për kallëzim të rremë lidhur me publikimin e një bisede audio ku pretendohej se fliste vëllai i ish-ministrit me Albert Veliun.

Salianji dha shpjegimet e tij në gjykatën e Tiranës, duke u përballur me Ardian Vishën, avokatin mbrojtës të Geron Xhafës, vëllait të ish-ministrit Fatmir Xhafaj.

“Për Geron Xhafën, mora një denoncim të ri nga gazetari Jetmir Olldashi. Ai më tha se ishte duke bërë një investigim të madh, që kishte lidhje me qeverinë. Meqë unë jam marrë me denoncimin e bandave, ma solli mua. Materialin audio e kam marrë disa muaj para publikimit, ishte në CD, ose USB. Në këtë material ishte vëllai i ish ministrit me Albert Veliun. Edhe tabulatet telefonike e vërtetojnë që unë kam folur me Jetmir Olldashin e më pas me Albert Veliun. Pas publikimit të materialit kam patur kontakte me të dhe familjarët, pasi Veliu më ka thënë se ishte në rrezik për jetën. Sa herë kishte kontakte me persona të ligjit ai më shprehte shqetësim”, tha në dëshminë e tij ish-deputeti demokrat.

Salianjit ju desh të përgjigjet edhe për pyetje të tjera drejtuar nga avokati Visha, i cili nguli këmbë të dinte se përse Albert Veliu ishte person i besueshëm për opozitën. Salianji u përgjigj se ai kishte bërë burg me vëllain e ish -ministrit.

Më tej Salianji iu kthye Vishës me akuzat se nuk ka lejuar ekstradimin e Geron Xhafës në kohën kur ishte drejtor i marrëdhënieve me jashtë në prokurorinë e pergjithshme.

 “Ti je i akuzuar që s’ke lejuar esktradimin kur ke qenë drejtor i marrëdhënieve me jashtë në prokurori. Ti je në konflikt interesi dhe je po njësoj llum, i korruptuar dhe pjesë e një sistemi të kalbur dhe vicioz që ndërhyni në gjykata prokurori dhe kudo.”

Por avokati i kujtoi se urdhri për mosekstradim ishte firmosur në kohën e demokratëve. Për shkak të debatit të ashpër mes palëve u desh që të ndërpritej seanca. Pasi doli nga gjykata Salianji tha se përmes denoncimeve të tij u provuan lidhjet e mafias me qeverinë.

Njeriu kyç në proces është Albert Veliu, për të cilin u dha lajmi se Belgjika i refuzoi azilin. Kështu ai pritet të ekstradohet.

Të fundit