Flash News

OP-ED

Pse BE ekzorcizoi Salvinin, por nuk po ia del me Ramën

Pse BE ekzorcizoi Salvinin, por nuk po ia del me Ramën

Alban Daci

Me qeverinë e re Salvini-Di Maio merr fund fryma populiste në Europë, ose me saktë tentativa e fundit për populizëm. Tashmë në Itali nuk qeveri as Salvini e as Di Maio, por BE, sepse pas një beteje intensive mes europeizmit dhe populizmit, në Europë tashmë ka fituar i pari. Në Francë Le Pen mbaroi, në Spanjë mbaroi tentativa për të bërë të pavarur Barcelonën, dhe po ashtu në Austri, kemi qartësisht tashmë normalizimin dhe mbajten e linjës europiane. Ky është një leksion i rëndësishëm për të gjithë  populistët që kërkuan të sfidojnë BE-në.

Salvini dhe Di Maio, sot, nuk kanë lidhje me aksionet e tyre që kishin para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve. Në retoriken e tyre nuk është më dalja nga Euro, lufta ndaj emigrantëve, Salvini nuk ka më komunikimin e tij të djallëzuar kundër çdo formë institucionale të establishmentit. Salvini dhe Di Maio me rastin e dështimit të tentativës së parë të formimit të Qeverisë, kuptuan se institucionet që ata do të drejtojnë, janë thjeshtë zyra me qira, por pronar i vërtetë është tashmë realiteti europian, BE-ja, që më institucionet e saj dikton rregullat pa përjashtim për të gjitha qeveritë e vendeve anëtare.

BE-ja, me ndihëm e Presidentit Matarella, bëri diçka shumë të çmuar, ajo me diktatin e saj arrit t’i bëje ekzorcizëm Salvinit duke e larguar atë nga tentativa putiniane, nga urrejtja, populizmi dhe duke e futur në linjat e një liberali sipas standardeve institucionale të kohës, që duhet të ketë një vend demokratik, themelues dhe anëtar i BE-së, siç është Italia. Salvini tashmë e ka kuptuar se të gjitha temat që ai i ka propaganduar nën pushtimin e ‘djallit’ si emigracioni, ekonomia dhe borxhi, janë çështje që varen drejtpërdrejt nga BE-ja dhe nuk janë çështje ekskluzive të brendshme të Italisë. Fjalori i Salvinit nga luftë pa kompromis kundër emigrantëve, ka ndryshuar pas betimit të tij, duke premtuar se do të legalizohen të gjithë ata emigrantë që punojnë dhe do të largohen ata që nuk punojnë. Përsëri, Salvini nuk ka thënë asgjë të re, por ka ritheksuar atë që thekson Traktati Schengen. Pra, Salvini është rikthyer në linjat e europeizmit.

Duhet të theksojmë se me krijimin e qeverisë Salvini- Di Maio përfundon edhe aventura antieuropiane e Berlusconit  për të fituar një grusht votash. Berlusconi ka qenë i njohur gjithmonë për linjën e tij europiane dhe liberale, por në zgjedhjet e fundit, për të fituar betejën e brendshme me Legën, mbajti qëndrime kundër emigracionit dhe Europës duke dalë nga stili dhe linja e tij filozofike-politike.

I vetmi lider që edhe pse humbi zgjedhjet, por që kanë qenë e mbetet koherent në lidhje me qëndrimet e tij është Renzi, ish-kryetari i PD-së. Të gjitha diskutimet e Renzit në fushatën zgjedhore edhe në lidhje me pozicionin e Italisë përballë BE-së po konfirmohen. Madje, linja politike e qeverisë Salvini- Di Maio përballë BE-së do të jetë fillim e mbarim linja politike e Renzit.

Me mbarimin e tentativës për të fituar populizmi në Europë kemi konfirmimin e një ‘Mbretëreshe’ të vetme e kjo padyshim është Kancelaria Merkel. Siç thoshte Rotschield: “Më jepni monedhën e një kombi dhe nuk më interesojnë ligiet që aprovon ai”. Pra, Gjermania është fuqia me madhe ekonomike europiane e për pasojë është edhe fuqia me rëndësishme që dikton linjën e përgjithshme politike.

Disa u suprizuan që Salvini- Di Maio deshën me çdo kusht të arrinin të krijonin qeverinë e tyre politike.  Nuk ka pse tw ketw habi aspak, sepse për ta ishte shansi i fundit që të merrnin pushtetin, por me një kusht të linin mënjanë aventurat dhe t’i ktheheshin Realpolitikes. Vetë Di Maio, për shkak të mungesës së eksperiencës institucionale, në një intervistë të dhënë pas betimit të Qeverisë, dëshmoi se nga kjo eksperiencë (tratativave për të krijuar Qeverinë), ka kuptuar e mësuar shumë gjëra. Po çfarë ka kuptuar Di Maio? Ka një ndryshim të madhe mes politikës nëpër sheshe duke sharë majtas-djathtas e duke ndjekur emocionet e turmave e gjë tjetër është të hysh në linjat dhe në raportet institucionale të vendit.

Salvini dhe Di Maio nuk bënë gabimin që bëri Albin Kurti që refuzoi të shkonte në qeverisje edhe përmes një koalicioni të pamundur dhe tashmë është përballë rrezikut të humbjes edhe të lëvizjes politike që ai vetë e krijoi dhe e rriti. Çdo lëvizje politike apo forcë politike, krijohet për të prodhuar e pasur pushtet e nëse nuk e arrin atë, ajo rrezikon shpërbërjen. Ne jetojmë në një demokraci interesash dhe lëvizjet politike themelohen dhe krijohen nga njerëz që kanë interesa dhe optika të ndryshme për funksionimin e institucioneve dhe realizimin e politikave e nëse nuk marrin pushtetin ata dështojnë në misionin për të cilin janë bashkuar e për pasojë nuk kanë më arsye që të vazhdojnë të jenë të bashkuar rreth një ideje që mbetet e pa realizuar.

Salvini dhe Di Maio nuk e bënë dhe nuk mund të bënin gabimi që bëri Kreshnik Spahiu, i cili krijoi forcën politike që për nga entuziazmi dhe dimensioni ishte në 2013 forca e tretë politike në vend, por ai vendosi të mos shkonte në pushtet e kështu dënojë me vdekje të gjithë lëvizjen politike. Nëse Albin Kurtit i falet gabimi që bëri duke refuzuar pushtetin, sepse nuk kishte eksperiencë, Kreshnik Spahiut nuk i falet, sepse ai vinte nga radhët e rangut të lartë të institucioneve shtetërore dhe ishte në brendësi të një realiteti politik që shumë të tjerë nuk e njihnin.

Në gjithë historinë e bisedimeve dhe të arritjes së qeverisë Salvini-Di Maio ka një leksion të rëndësishëm dhe ky është se BE-ja fitoi kundër populizmit ashtu siç fitoi kundër nacionalizmit dhe urrejtjes. Pra, BE-ja është një forcë e jashtëzakonshme pozitive që garanton stabilitet, paqe dhe zhvillim për Kontinentin.

Megjithatë, edhe pse Europa ka një forcë të jashtëzakonshme, ajo ka dështuar t’i bëjë ekzorcizëm Ramës. Ky i fundit është i vetëm lider në Europë që nuk po ekzorcizohet nga dashuria që ka për Erdogan, nga urrejtja që ka për median e lirë duke e konsideruar kazan. BE-ja nuk po ia del me Ramën, i cili është i pushtuar nga paranoja, frika dhe nga pamundësia për tu rikthyer në normalitet. Kostoja e Shqipërisë nga pushtimi i Ramës prej ‘djallit’ është shumë e madhe. Në këto rrethana, e vetmja shpresë është që vetë populli të marre forcën për ta ekzorcizuar Ramën duke e larguar nga pushteti.

 

Të fundit