Flash News

KRYESORE

Pse Erion Veliaj shpërtheu dje në ‘Opinion’ kundër gazetares Ornela Liperi; shkrimet e saj janë kthyer në 'ushqim' të përditshëm për mediat në Shqipëri

Pse Erion Veliaj shpërtheu dje në ‘Opinion’ kundër

Kryebashkiaku Erion Veliaj hoqi dje kostumin e djalit të mbarë që punon dhe kujdeset për qytetin, të cilin e shohim çdo ditë në edicionet e lajmeve, me kronika të përgatitura në zyrat e bashkisë së Tiranës. Ndonëse ishte përgatitur për t’u përballur me gazetarët që do kishte në studion e ‘Opinion’, Veliaj u transformua tërësisht sapo të pranishmit filluan t’i numëronin kullat që po ndërton në Tiranë.

Në mënyrë të paprecedentë, Veliaj shantazhoi kryeredaktoren e revistës ‘Monitor’, Ornela Liperi, të cilës i kërkoi të mos fliste kundër kullave pasi pronari i saj kishte ndërtuar vetë një të tillë dhe kishte aplikuar për ndërtimin e një fshati turistik. Me pak fjalë, opozitarizimi i saj kundër kullave pa kriter në Tiranë, mund t’i prishte punë pronarit.

Po pse Veliaj zgjodhi të sulmonte pikërisht Ornela Liperin, kur në studio, përfshi Blendi Fevziun, ishin edhe katër gazetarë të tjerë.

‘Monitor’ që drejtohet nga Liperi është e vetmja revistë ekonomike në Shqipëri e cila ruan një pavarësi të madhe krahasuar me shumë media të tjera sa i përket punës së bashkisë së Tiranës, më e madhja në vend.

Shkrimet e Ornela Liperit dhe gazetarëve të tjerë të ‘Monitor’ janë kthyer në ushqim të vazhdueshëm për të gjitha portalet (përfshirë Politiko.al) si dhe për agjenci të mëdha në Shqipëri si ‘Balkanweb’ apo ‘Panorama’. Shumë gazeta që nuk guxojnë të publikojnë në versionin print shkrime për kullat në Tiranë, mbushin faqet e tyre në internet me shkrime të ‘Monitor’.

Kjo media është e para që ka denoncuar shtimin e kullave në Tiranë, ndërkohë që në banka nuk është rritur numri i kredive, çka lë dyshime se ato po ngrihen me para të pista, të cilat nuk hyjnë në treg nëpërmjet bankave. Gjithashtu, ‘Monitor’ i ka kushtuar rëndësi të madhe edhe analizave lidhur me gjendjen ekonomike të shqiptarëve, korrupsionit, zhvillimit të turizmit dhe shumë fushave të tjera, shkrime që më pas publikohen me shpejtësi në të gjitha mediat online.

Ky agresivitet i Veliajt ndaj Liperit mund të shpjegohet vetëm në një mënyrë, qëndrimin ende në këmbë të një reviste dhe disa gazetarëve profesionistë të cilët ende nuk janë gjunjëzuar përballë kullave apo udhëtimeve turistike që kryebashkiaku i Tiranës organizon shpesh për kolegët e tyre në media të tjera.

Të fundit