Flash News

KRYESORE

Pse nuk e njeh Rama raportin e Task Forcës për zgjedhjet

Pse nuk e njeh Rama raportin e Task Forcës për zgjedhjet

Alfred Lela

Një analist politik të cilin e çmoj, Mentor Nazarko, kërkonte veting për ministrat teknikë, të tërhequr më në fund, pas një intifade të pafund për largimin e tyre. Akademiku Artan Fuga nuk kishte gjë me ministrat por shigjetonte opozitën (lexo Bashën) në një shkrim në 'gazetën' e tij të parapëlqyer (Facebook Times).

Këta dy autorë janë më seriozët, në një radhë të gjatë 'gjuetarësh' që panë te ekzistenca e ministrave teknikë të PD në qeverinë e Ramës, një kundravajtje politike të fortë. Nuk ka krahasime, kronologjike, cilësore apo sasiore, mes dy rasteve, por një zhurmë e ngjashme është bërë në vitin 1992, kur PD merrte pjesë në Qeverinë e Stabilitetit. Asokohe, Berisha me nuhatje politike e rrëzoi qeverinë 'dyngjyrëshe' për të marrë pushtetin, por edhe për të mundur kundërshtarët brenda partisë. Tani, gjykuar nga kundërshtimet, ngjan se, nëse PD do i tërhiqte ministrat e vet, te dyert e së nesërmes së afërt e priste  kurora e pushtetit

Njëra prej variablave të vitit 1992, ajo e luftës së brendshme politike, qëndron edhe tani në vitin 2017. Kjo i motivon kundërshtarët e Bashës, të cilët kërkojnë çdo mënyrë për për të diskredituar lidershipin e tij.

Basha i është mbajtur një arsyeje të vetme për të përligjur vazhdimësinë, edhe pas humbjes së zgjedhjeve, të ministrave teknikë në qeverinë Rama: hartimi i raportit të zgjedhjeve. I cili ka mbërritur më në fund, me plot 142 faqe. Nëpër to mund të gjesh bashkëjetesën e vështirë mes ministrave demokratë me pjesën tjetër të qeverisë, apo vetë z. Rama, por askund më shumë se te komunikata për shtyp e Kryeministrisë nuk e gjen këtë shpërfillje. Nën një përtesë pushimesh verore dhe kapadaillëku, deklarata nuk i përmbahej as shqipes korrekte. Në fund, duke përdorur togfjalëshin e famshëm të ish-ministrit të tij të Shëndetësisë, Rama u lëshonte ministrave teknikë një 'suksese në jetë'.

Raporti vetë zbulonte se në mbledhjet e Task Forcës nuk kishte marrë pjesë asnjë prej ministrave jo teknikë apo përfaqësuesve të institucioneve të tjera, që ishin pjesë e trupës së monitorimit dhe 'mbrojtjes' së zgjedhjeve. Eshtë e provuar se Kryeministri nuk i honepste ministrat e PD dhe nuk kryesoi asnjë mbeldhje qeverie gjatë kohës që 'teknikët' ishin pjesë e saj.

Çka mund të duket një trimëri e tij është në fakt një hile e vogël. Kryeministri e ka konsideruar kompozimin e qeverisë teknike si një urë për të kaluar ujrat e trazuara të para zgjedhjeve, dhe aspak si një nevojë për zgjedhje të shëndetshme dhe paqe politike. Për këtë i ka urdhëruar, apo ka heshtur para mospjesëmarrjes në punët dhe mbledhjet e Task Forcës të ministrave socialistë. Ky ka qenë hapi i parë që do i lejonte të dytin, konsiderimin e raportit si të paligjshëm.

Me këtë akt të tij hyjmë në asgjë të panjohur përveç sinorëve të një Kryeministri që i lejon vetes të palejueshmen dhe të pamundurën. Aq shumë, sa është gati që edhe një pjesë të qeverisë dhe qeverisjes së vet ta konsiderojë të paligjshme. 7 ministrat teknikë nuk janë dërgatë e Partisë Demokratike, por përfaqësues të qeverisë së Republikës së Shqipërisë; ata gjithashtu përfaqësojnë komunitetin ndërkombëtar të përfshirë në negociimin dhe arritjen e një pakti mes palëve. E beson ose jo Rama, ata përfaqësojnë edhe Kryeministrin e Shqipërisë.

Partia Demokratike i ka njohur zgjedhjet, pavarësisht parregullsive, dhe Rama duhet të bënte të njëjtën gjë në anën e kundërt: të njihte parregullsitë e zgjedhjeve dhe rregullsinë e kabinetit tranzitor që i monitoroi dhe i qeverisi këto zgjedhje.

Qëllimi i Ramës është i qartë: nuk i njeh parregullsitë sepse ato e këndellin dhe i interesojnë për të ardhmen. Duke i njohur, pranuar dhe punuar për t'i zhbërë ai nuk mund t'i përdorë më.

Për të, siç e dimë, e lehtë dhe joshëse është gjëma e kundravajtjes, politike dhe institucionale.

Të fundit