Flash News

KRYESORE

Pse nuk shkon Pompeo në Shqipëri? Zyrtari i DASh zbulon arsyen për Zërin e Amerikës

Pse nuk shkon Pompeo në Shqipëri? Zyrtari i DASh zbulon arsyen

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit ka folur për Zërin e Amerikës në lidhje me turin 5 ditor në Ballkan dhe jug të Europës duke thënë se këto vizita do ta vinin theksin tek angazhimi i Shteteve të Bashkuara në NATO dhe tek dëshira e Uashingtonit për zgjerim. Ai tha se do të ishte një sinjal mbështetës për Malin e Zi si vend i ri anëtar dhe për Maqedoninë e Veriut, rruga e së cilës është hapur tashmë për anëtarësim.

I pyetur nga Zëri i Amerikës, se pse Sekretari i Shtetit nuk po shkon në Shqipëri, zyrtari tha se arsyeja është thjesht se zoti Pompeo po shkon në vendet e sapoanëtarësuara në NATO.

Pompeo e nis turin në Itali dhe në Vatikan për ta përmbyllur me një vizitë në Greqi, ku do të takohet me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, Ministrin e Jashtëm Nikolaos Dendias, dhe Ministrin e Mbrojtjes Nikolaos Panagiotopoulos.

Siç raporton Politiko.al është kureshtar fakti se Sekretari i Shtetit ka gjetur kohë për të vizituar liqenin e Ohrit, një 'agjendë' që është jashtë NATO-s dhe zgjerimit të BE.

 Më poshtë i plotë njoftimi i Departamentit të Shtetit për vizitën e Pompeos:

Sekretari i Shtetit Michael R. Pompeo do të udhëtojë në Itali, Selinë e Shenjtë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Greqi nga 1 deri në 6 tetor.

Sekretari do të marrë pjesë në Simpoziumin e selisë së Shenjtë për Partneritetin me Organizatat e Bazuara në Besim, ku ai do të mbjajë fjalën kryesore. Ai do të ketë një audiencë private me Shenjtërinë e Tij Papa Françeskun, dhe do të takohet me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit Kardinalin Parolin dhe Sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet Arqipeshkvin Gallagher.

Në Romë, Itali, Sekretari do të takohet me Presidentin Mattarella, Kryeministrin Conte dhe Ministrin e Jashtëm Di Maio. Ai gjithashtu do të vizitojë Abruzzon për të vizituar shtëpinë e tij stërgjyshore.

Sekretari do të udhëtojë më pas në Mal të Zi, ku do të takohet me Presidentin Gjukanoviç, Kryeministrin Markoviç dhe Ministrin e Jashtëm Darmanoviç.

Më pas Sekretari do të udhëtojë për në Maqedoninë e Veriut, ku do të takohet me Presidentin Pendarovski, Kryeministrin Zaev, dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë. Sekretari gjithashtu do të vizitojë kompleksin e manastirit "Shën Mërisë Shenjtore" Peribleptos ndërsa bën një tur të Liqenit të Ohrit.

Më në fund, Sekretari do të udhëtojë për në Athinë, Greqi, ku do të takohet me Kryeministrin Mitsotakis, Ministrin e Jashtëm Dendias dhe Ministrin e Mbrojtjes Panagiotopoulos.

Të fundit