Flash News

KRYESORE

Pse Rama nuk pa prova në 'çështjen Tahiri'? Nuk donte të kthehej vetë në provë

Pse Rama nuk pa prova në 'çështjen Tahiri'? Nuk donte

Alfred Lela

Marrdhënia e Kryeministrit Rama me ish-ministrin e tij të Brendshëm, pas publikimit të përgjimeve italiane, mund të përshkruhet si një raport aklimatizimi. Një lloj loje politike ngriva-shkriva në të cilën shefi i qeverisë në fillim u ftoh krejt dhe shpalli distancë me deputetin dhe kryetarin e PS për Tiranën. U desh një riformatim i shprehjes së famshme të tij 'nuk keni parë gjë akoma' në gojën e ish-ministrit, i cili dukej se po binte (free falling) dhe po bëhej një ish-gjithçka, që Rama të 'ngrohej' dhe t'i jepte sërish diell satelitit të tij.

Ai ndërroi kurs dhe shpalli se provat ishin të shenjta dhe se gjithçka tjetër ishte politike. Ajo që dëgjohej e shihej në dosjen italiane, dhe që në fillim ishte për të 'mos u zënë besë veshëve', apo vepër e ndonjë 'druri të shtrembër', u harrua krejt.

Në nxitim e sipër, Kryeministri prodhoi dy paradokse. Domethënë gjendje që nuk përkufizohen dot nga logjika apo që kanë brenda vetes situata dhe qëndrime që shtyhen.

Paradoksi i parë ishte vendimi i kreut të Partisë Socialiste për ta përjashtuar Saimir Tahirin nga grupi parlamentar 'deri në sqarim të plotë të çështjes'. Në pamje të parë ky është vetëm një vendim etik në rrafshin politik dhe ligjor. Ai bëhet paradoks kur ia heq nga radhët partisë, por nuk ia jep drejtësisë. Jo vetëm me anë të mosveprimit, por sidomos të veprimit: Rama angazhoi të gjithë makinerinë mediatike dhe partiake për të mbrojtur Tahirin që kishte marrë një njollë, dhe për të gjetur njolla te prokurorët që kërkonin heqjen e imunitetit dhe hetim të plotë.

Shefi i qeverisë krijoi artificin e përjashtimit nga grupi parlamentar, por përdori të njëjtën trupë politike (plus) për ta mbrotjur me numrin e kartonave dhe moslejimin e heqjes së imunitetit.

Paradoksi i dytë gjendet në të njëjtën lëvizje që krijon një gjendje të dytë, e cila nuk përkufizohet nga logjika. Rama tha, në mbledhjen e grupit parlamentar atëherë, dhe përsëriti në një studio televizve para pak ditësh, se nuk kishte pse ia dorëzonte Saimir Tahirin Prokurorisë, pasi nuk kishte prova. Mungesa e provave, në kushte neutrale, është me gjithë mend një argument i qëndrueshëm logjikisht. Por, jo në kushtet e një shefi ekzekutivi i cili është votëbesuar për rolin e guvernatorit, jo shqyrtuesit të provave; në një republikë apo monarki demokratike është gjykata e cila vendos për cilësinë dhe qenësinë e provave.

Kryeministri ka në dorë, jo identifikimin e tyre, por gurin e provës së pavarësisë së pushteteve të tjera prej të vetit.

Duke e lënë këtë gur t'i binte nga dora, ai prodhoi edhe paradoksin e dytë. Pikërisht kur tha se nuk kishte prova që e bënin Saimir Tahirin të zhveshshëm prej imunitetit parlamentar. Po atëherë, me cilat prova e përjashtoi Rama deputetin e vet nga grupi parlamentar?

Nëse provat janë munguese, ato e kanë këtë të metë në të dyja instancat: për grupin parlamentar të Partisë Socialiste dhe për Prokurorinë e Republikës.

Nuk janë provat që e shtynë apo e penguan Kryeministrin.

Është përpjekja e tij e mundimshme që të mos bëhet vetë provë apo dëshmitar.

Të fundit