Flash News

KRYESORE

Pse u firmos në 4 shtator marrëveshja Kosovë-Serbi, ‘e bekuar’ edhe nga Donald Trump

Pse u firmos në 4 shtator marrëveshja Kosovë-Serbi, ‘e

Pasditen e 4 shtatorit me orën tonë lokale, Kosova dhe Serbia firmosën një marrëveshje historike në Shtëpinë e Bardhë në Washington, në prani të presidentit të SHBA, Donald Trump.

Një pakt me përmbajtje ekonomike e ndarë në 16 pika që për shumë kohë nuk kishte dakordësi, ndërsa çështja më e nxehtë, ajo e njohjes reciproke nuk u përmend në asnjë rresht.

Disa nga pikat më të rëndësishme të këtij pakti ishin: Kosova dhe Izraeli pajtohen të njohin njëra-tjetrën, Kosova merr pjesë në “mini-Schengen”, të shpalosur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019, aq shumë i kontestuar nga pala kosovare, projekte për rrugë e hekurudha, do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G etj. , të firmosura nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në prani të presidentit Trump.

Takimi i shumëpërfolur kujtojmë se vetëm pak muaj më parë u shty, ndersa u planifikua fillimisht të mbahej më 27 qershor.

I organizuar nga i ngarkuari amerikan për dialogun Kosovë-Serbisë, Richard Grenell, takimi i mesverës u anulua vetëm pak ditë përpara, sepse Prokuroria Speciale për Krime Lufte në Hagë, publikoi një aktakuzë të pakonfirmuar për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi (bashkë me Kadri Veselin).

Ata u akuzuan për krime kundër njerëzimit, krime lufte, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Gjykata e Speciale u përpoq të sqarojë arsyet e ngritjes së akuzave, pasi sipas saj, Prokurori i Specializuar e ka gjykuar të domosdoshme publikimin e njoftimit, pas përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit e Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së dhomave të specializuara.

“Besohet se Thaçi dhe Veseli në fshehtësi kanë ndërmarrë një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë. Nëpërmjet këtyre veprimeve, Thaçi dhe Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, thuhej në njoftim.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës më 3 Gusht të vitit 2015 me 82 vota pro i patën thënë ‘po’ themelimit të kësaj gjykate. Në Kosovë, gazetarë e analistë hodhën hapur dyshimet se publikimi i akuzave në këtë moment, lidhej pikërisht me takimin në Uashington, pasi sipas tyre, aktakuza e prokurorit është dorëzuar në gjykatë që më 24 Prill.

Megjithatë gjykata sqaroi se aktakuza ishte vetëm një padi penale dhe rezultat i një hetimi të gjatë dhe se dëshmonte vendosmërinë e zyrës së prokurorit të specializuar se mund t’i provojë të gjitha akuzat se janë në bazë të dyshimit të arsyeshëm.

Megjithatë, menjëherë pas publikimit, presidenti Thaçi anuloi takimin në Shtëpinë e Bardhë, teksa ishte bërë gati të ishte në delegacion, bashkë me kryeministrin e Kosovës. Për këtë arsye, edhe takimi u spostua për në shtator.

Edhe në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë ishte parashikuar të bisedohej për çështje ekonomike, heqjen e barrierave tregtare, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave si dhe investimet në infrastrukturën rajonale.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u ndërpre në nëntorin e vitit 2018 kur qeveria e Kosovës e drejtuar nga Ramush Haradinaj, vendosi tarifë 100% ndaj mallrave serbe.

Që nga ajo kohë Beogradi e pati kushtëzuar rikthimin në tavolinën e bisedimeve me heqjen e tarifës dhe së fundi edhe të reciprocitetit, masë kjo e Kosovës  që tashmë është hequr dhe që mundësoi rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Roli i Trump në paktin e ri të Ballkanit

Media e njohur ‘The Guardian’ e ka parë këtë takim si një përpjekje për fitore diplomatike për presidentin amerikan Donald Trump që të përforcojë pozitën e tij në fushatën presidenciale. Tani, dy muaj para zgjedhjeve në SHBA, takimi u bë realitet, me theksin te progresi ekonomik.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen më 3 nëntor. Përballë Trumpit, te Partia Demokratike, kandidat është Joe Biden.

Pas SHBA, takimet do vijojnë edhe në Bruksel, në nivel ekspertësh javën e ardhshme.

Të fundit