Flash News

KRYESORE

Publikohet Raporti i Dytë i Monitorimit të Zgjedhjeve: Çështjet thelbësore që sollën probleme në proces

Publikohet Raporti i Dytë i Monitorimit të Zgjedhjeve:

Është publikuar sot Raporti i Dytë i Monitorimit mbi Drejtësinë Zgjedhore për zgjedhjet Parlamentare 2017.

Sipas raportit procesi zgjedhor i Zgjedhjeve Parlamentare 2017 pati një numër të ulët ankimimesh por sërish janë  vërejtur  anomali në këtë mekanizëm.

“Problematike në këtë proces zgjedhor ishte qasja e Trupës së Kolegjit për të qendruar jashtë konfliktualitetit politik, pa ndërhyrë në brendi të kontekstit. Në dy çështje me rëndësi thelbësore për procesin, përsa i përket afatit të regjistrimit të subjekteve zgjedhore, trupa e Kolegjit u shmang në vendimmarrje duke mos dhënë një përcaktim apo një qasje ligjore për problematikën. Në këtë situatë, mbetet tepër shqetësuese sjellja ndaj problematikave, ku vazhdohet në vijimësi të kaparosjes së tyre me përfundimin e proceseve dhe risjelljen në momentin e konfliktit politik. Kjo vendos një pamundësi për pasjen e një dialogu real institucional dhe ku perspektivat e reja e të matura refuzohen nga debati i ngushtë politik” thuhet në Raport.

Njoftimi:

Ky Dokument me titull “Raport Monitorimi mbi Drejtësinë Zgjedhore , Zgjedhjet Parlamentare 2017”, përbën Dokumentin e Dytë në këtë vazhdën e adresimit të Çështje së Drejtësisë Zgjedhore dhe publikohet si pjesë e Aksionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve Parlamentare të 25 Qershorit 2017 të realizuar nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV). Dokumenti është ndërtuar mbi paragrafë të numërtuar për të qenë integral në tërësi, por edhe për të mundësuar referimin e çështjeve më vete, si një mënyrë për t’i ardhur në ndihmë diskutimeve që do të pasojnë në kuadër të reformave legjislative që pritet të ndërmerren. Dokumenti ka për qëllim më shumë se sa thjesht pasqyrimin e ecurisë së Çështjes së Sistemit të Drejtësisë Zgjedhore. Në ndjekje të dinamikave zgjedhore, synohet të ngrihet shqetësimi për mbarëvajtjen e mekanizmit, i cili do të duhej të garantonte integritetin e proceseve zgjedhore. Nga ana tjetër, vlen të theksohet se funksionimi i këtij mekanizmi nuk siguron në mënyrë automatike integritetin e proceseve zgjedhore, por është një instrument në sigurimin e tij. Ndonëse procesi zgjedhor i 25 Qershorit 2017, shënoi procesin e përgjithshëm të 18-të në përvojën e demokracisë shqiptare, vërehet se çështje të lidhura ngushtë me integritetin e procesit vuajtën problematika. Nga këto çështje dhe me rëndësi jetësore mbi integritetin e proceseve zgjedhore është sistemi i ankimim-apelimeve mbi çështjet zgjedhore. Një garanci e legjislacionit, për korrektimin e rasteve të cënimit të të drejtave për subjektet zgjedhore përgjatë garimit, votimit dhe deri në shpalljen e rezultatit. Që me miratimin e Kodit Zgjedhor të vitit 2000 dhe konstituimin e Kolegjit Zgjedhor në vitin 2003, si një trupë gjyqtarësh pranë Gjykatës së Apelit të Rrethit Tiranë, sistemi i ankimim-apelimeve ka shënuar hapa progresivë përsa i përket konsolidimit të tekstit ligjor. Megjithatë, këto zhvillime nuk kanë arritur ende të sigurojnë një mekanizëm ligjor që të ndihmojë në dhënien e besimit ose në forcimin e integritetit të proceseve zgjedhore. Ndryshe nga procesi zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme për Kuvend të vitit 2013, i cili ishte voluminoz në ankimime dhe apelime, procesi zgjedhor i Zgjedhjeve Parlamentare 2017 pati një numër tejet të ulët rastesh. Një precedent ky, që në vetvete mund të lexohet si shenjë pozitive, por që e vendosur në kontekst provon të kundërtën. Kjo për shkak të një gjuhe anatemuese ndaj procesit ankimor të përdorur jo vetëm nga aktorët politikë, por edhe prej vetë përfaqësuesve të institucioneve. Nga ana tjetër vlen të theksohet se ndonëse kishte pak praktika ankimore, sërish u vërejtën anomali në këtë mekanizëm. Kolegji Zgjedhor kryesisht, si rrugë gjyqësore e ankimimit të çështjeve zgjedhore dhe e pakushtëzuarr nga precedentët e vendimmarrjeve që vetë vendos, ka vazhduar edhe në këtë proces të jetë një trupë inkoherente. Akoma më problematike në këtë proces zgjedhor ishte qasja e Trupës së Kolegjit për të qendruar jashtë konfliktualitetit politik, pa ndërhyrë në brendi të kontekstit. Në dy çështje me rëndësi thelbësore për procesin, përsa i përket afatit të regjistrimit të subjekteve zgjedhore, trupa e Kolegjit u shmang në vendimmarrje duke mos dhënë një përcaktim apo një qasje ligjore për problematikën. Në këtë situatë, mbetet tepër shqetësuese sjellja ndaj problematikave, ku vazhdohet në vijimësi të kaparosjes së tyre me përfundimin e proceseve dhe risjelljen në momentin e konfliktit politik. Kjo vendos një pamundësi për pasjen e një dialogu real institucional dhe ku perspektivat e reja e të matura refuzohen nga debati i ngushtë politik. Madje në vazhdën e problematikave të vërejtura, vazhdon të mbetet jashtë diskutimit parashikimi i një rregullimi ligjor, i cili të konsiderojë pavlefshmërinë e rezultatit të votimit, për shkak të cënimit të vullnetit nga praktikat e drejtimit të votës para dhe gjatë ditës së votimit.

Të fundit