Flash News

KRYESORE

Punësimi në Kadastër, Lame flet pa dorashka: Më ndërhyjnë për qoka nga çdo parti; prindërit e mi s'shkojnë dot në kafe

Punësimi në Kadastër, Lame flet pa dorashka: Më

Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame ka hapur jo vetëm garën për 74 vende të lira në Kadastër, kryesisht në Tiranë dhe Vlorë, por ka ngritur publikisht edhe problemin e ndërhyrjeve “me mik” për një vend punë pranë këtij institucioni.

“Iu bëj thirrje miqve, deputetëve, gruas sime dhe prindërve që të mos më ndërhyjnë për të futur në punë njerëz që nuk kanë lidhje me profesionin. Ne kërkojmë profesionistë”, tha Lame në konferencë për shtyp, ndërsa i pyetur në një lidhje telefonike në ‘nëws 24”, Lame tha se për një vend punë ka ndërhyrje nga çdo parti.

“Në rastin e thirrjes sot bëhet fjalë për emërimet e specialistëve ta them sinqerisht se ndërhyrjet janë të të gjitha llojeve. Nuk përjashtoj asnjë njeri, miq e shokë e të afërm ka nga çdo parti,  por ka një limit, ky institucion bëhet vetëm me profesionistë. Deputetët mundohen të katapultohen”, tha Lame, i cili shkoi edhe më tej duke thënë se ky problem ka prekur edhe familjen e tij.

“Ju bëj thirrje të gjithë të njohurve dreq e shejtan që ju lutem mos më ndërhyni për qoka për të gjetur punë. Prindërit e mi kanë frikë të shkojnë deri te kafja poshtë shtëpisë se do i kapin njerëzit, aman gocën e çunin, deri këtu ka arritur puna”, tha Lame.

Të fundit