Flash News

KRYESORE

Qëlloi për vdekje ish-bashkëshorten gjyqtare, Fadil Kasemi rrezikon burgim të përjetshëm

Fadil Kasemi, personi që vrau muaj më parë ish-bashkëshorten gjyqtare Fildez Hafizi, nuk do të përfitojë gjykim të shkurtuar.

Në seancën e parë për ngjarjen që tronditi vendin, u prezantua akt-ekspertimi mjeko-ligjor psikik për gjendjen shëndetësore të Fadil Kasemit. Kasemi del i përgjegjshëm në momentin që ka ndodhur vrasja, por edhe pas saj.

Sipas Balkanweb, me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, Kasemi nuk përfiton gjykim të shkurtuar, për shkak të veprës së rëndë penale. Ai tashmë rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm.

Deri më tani, Kasemi nuk ka shfaqur ende asnjë pendesë për krimin e 31 gushtit të vitit që lamë pas. Fildez Hafizi u ekzekutua nga ish-bashkëshorti i saj, Fadil Kasemi, pranë shtëpisë ku banonte në Tiranë.

Ajo po kthehej në shtëpi, kur ish-i shoqi iu shfaq befas dhe e qëlloi me armë zjarri. Më pas, ai tentoi të largohej nga vendngjarja duke ndalur një drejtues fugoni, por u prangos nga Policia.

Ngjarja është cilësuar si e paralajmëruar, pasi rreth një vit para saj, Fadil Kasemi kishte kërcënuar me armë ish-bashkëshorten te “Shkëmbi i Kavajës”. Në atë kohë, gjyqtarja arriti ta bindte Kasemin që të mos e qëllonte.

 

Të fundit