Flash News

KRYESORE

Qëndrimi i Dules në Bularat, revoltohet regjisori kritik i Ramës: Nëse vijon koalicionin me PD, unë do votoj PS

Deklaratat dhe qëndrimet e deputetit dhe kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule një ditë më parë në Bularat të Gjirokastrës kanë shkaktuar mjaft reagime të ashpra mes shqiptarëve.

Ditën e djeshme, ai u shfaq krah grekëve dhe minoritarëve të ardhur nga shteti fqinj, për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Kostandinos Kaçifa, i cili u vra 12 ditë më parë nga RENEA, pasi qëlloi me armë mbi policinë shqiptare.

Po ashtu, Dule jo vetëm që nuk dënoi sulmin me armë të të ndjerit ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit, por as fyerjet që u dëgjuan dje nga ekstremistët grekë ndaj shqiptarëve. Ky fakt ka revoltuar edhe regjisorin e njohur Kastriot Çipi, i cili njihet edhe si një kritik i qeverisë “Rama”, pasi miratoi projektin që i hapi rrugë shembjes së Teatrit Kombëtar.

Në një status në rrjetet sociale, regjisori shkruan se nëse Dule, pas qëndrimit të djeshëm, vijon të jetë në koalicion me opozitën e djathtë, atëherë ai do të votojë për PS.

“Vangjel Dule i quan normale thirrjet “Zjarr për zagarët shqiptarë”!

Nëse partia e tij do të jetë në koalicion me PD në zgjedhjet e ardhshme, unë do të votoj PS!”, shkruan regjisori.

Kujtojmë, se të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe deputeti i LSI, Vangjel Tavo, i cili mori pjesë në ceremoninë e varrimit të Kaçifas mes ekstremistëve që fyen rëndë përmes thirrjeve raciste dhe antishqiptare.

Të fundit