Flash News

KRYESORE

Qëndrimi i qeverisë holandeze për Shqipërinë: Jo vetëm nuk ka realizuar kushtet për negociata, por janë bërë hapa pas

Qëndrimi i qeverisë holandeze për Shqipërinë: Jo

Qeveria holandeze do të kundërshtojë sërish hapjen e negociatave të Shqipërisë, duke kërkuar nga KE vendim pozitiv vetëm për Maqedoninë.

Qëndrimi u përsërit nga ministri i Jashtëm Stef Blok, gjatë raportimit në KE për çështjet evropiane, ku u theksua se Tirana jo vetëm nuk ka realizuar kushtet e vëna nga KE, por ka bërë hapa prapa.

Gazetari Vladimir Lame ka sjellë në ‘Facebook’ kronikën nga qëndrimi i qeverisë holandeze .

‘Besoj që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të vlerësohen në mënyrë të pavarur sepse janë dy shtete me progres të ndryshëm.

Në Maqedoninë e Veriut dukshëm ka më tepër progres. Shqipëria është rast tjetër. Ajo të fillojë procesin e hapjes së negociatave sapo të fillojë të përmbushë kriteret’-deklaroi ministri i Jashtëm Stef Blok.

Deputeti Pieter Omtzigt tha se dëgjoi Mogherinin duke folur për progres të Shqipërisë.

“Por atje flitet për përfshirjen e mafias në partinë në pushtet. Ka patur bojkot të opozitës në zgjedhjet lokale”-theksoi Omtzigt.

Ndërsa deputetja Mevrouw Ploumen nënvizoi se praktikat gjyqësore dhe lufta kundër korrupsionit në Shqipëri shihen me një sy kritik nga qeveria holandeze.

Parlamenti holandez nuk do të ketë një seance plenare të posaçme për diskutim për t’i dhënë dritën jeshile Shqipërisë, kështu që do të mbetet në fuqi mocioni i votuar në 21 qershor të 2018 nga shumica e deputetëve në Hagë.

Të fundit