Flash News

KRYESORE

Qeveria arkëtoi 53 milionë euro më pak në muajin nëntor

Qeveria arkëtoi 53 milionë euro më pak në muajin nëntor

Qeveria shqiptare mblodhi 53 milionë euro të ardhura më pak se sa parashikimi i muajit nëntor. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se gjatë muajit që lamë pas qeveria arkëtoi nga taksat dhe burimet e tjera financiare 306 milionë euro, ndërsa plani i buxhetit ishte 359 milionë euro.

Si pasojë e deficitit të shënuar në muajin nëntor, shifra totale e mosrealizimit të të ardhurave për 11 mujorin është dyfishuar. Pra,për periudhën janar nëntor qeveria ka mbledhur mbi 116 milionë euro më pak nga sa kishte parashikuar të mblidhte.

Për shkak edhe të borxheve të prapambetura me TVSH-në, për këtë vit qeveria u angazhua të rimbursojë 1.6 miliardë lekë ose 13 milionë euro TVSH çdo muaj për biznesin.

Deri në tetor ky zotim u respektua, kurse në muajin nëntor qeveria ktheu vetëm 1 miliardë lekë TVSH për biznesin ose 60 për qind më pak se plani.

Top Channel raporton se sipas të dhënave nga ministria e Financave për periudhën janar-nëntor qeveria ka investuar në ekonomi mbi 125 milionë euro më pak se sa plani. Kjo sjell pasoja sa i përket rritjes ekonomike dhe punësimit.

Të fundit