Flash News

KRYESORE

'Qeveria e re' e Ramës dhe 'Qeveria e vjetër' e Tahirit?

'Qeveria e re' e Ramës dhe 'Qeveria e vjetër' e

Një ngjyrë kureshtare po ngrihet mbi të tjerat, në shumësinë laryshe të fjalëve që po thonë Edi Rama dhe shpura e tij, që prej dje, kur 'palloit' të dikurshëm të Qeverisë Rama 1, 'ministrit më të suksesshëm', i ranë një tufë e mirë pendësh.

Kjo penelatë po tentohet nëpërmjet termit 'qeveri e re'. E përdori dje Elisa Spiropali zëdhënëse e Partisë Socialiste, gjatë një reagimi nervoz, që hallin e shtëpisë së vet (arrestimin e kushëririt të një ish-ministri dhe kolegu), e hodhi si patate të nxehtë në prehrin e tjetrit, duke iu gërmushur kryetarit të opozitës, Basha. E futi në punë sot edhe ai që, me gjasë, është autori i togfjalëshit, Edi Rama.

Në reagimin e pasdites së të martës, të parin për ngjarjet pas disa artikujve skandalozë të medias italiane, të marrë edhe nga portalet në Shqipëri, dhe më pas publikimit të një përgjimi nga Top Channel, Kryeministrit e lëshoi 'kovë pusi' benjaminin e tij. 

Megjithatë, Kryeministri i ri i 'qeverisë së vjetër' është duke u përpjekur të bëjë një ndarje semantike për një gjë që është fenomen dhe prirje e kahershme e karvanit që ai priu për katër vjet. Kundërshtarët e të cilit ai i quante, me qejf e pa qeder, qen që lehin. Ai po mundohet të ndahet prej avazit të vjetër me një stilemë të re.  

Dikush duhet të dalë e t'i thotë, opozita e dhe z. Basha të parët, se nuk ka një 'qeveri të vjetër' e një 'të re'. Ka një qeveri të vetme, të majtë, të udhëhequr prej tij, si asohere edhe kësohere. Ka një 'Qeveri Rama 1' dhe një 'Qeveri Rama 2'. Thelbi i së cilës mbetet i njëjti pavarësisht meremetimeve.

'Qeveria e re' mund të jetë një truk komunikativ, por aspak një exit apo katharsis, për një kabinet që mban vulën e vazhdimësisë si në njerëz ashtu edhe në ide. Një ide që bazohet te një e vetme gjë: relativizmi i së vërtetës dhe pompimi i trukut.

Qeveria është e njëjta, z. Rama, dhe kjo është e vërteta. Truku mundohet të bëjë strehë te togfjalëshi 'qeveri e re'.

Duket se, qentë që dikur lihnin, sot janë karvani.

Të fundit