Flash News

KRYESORE

Qeveria heq arkivin nga Gjirokastra, PD: Vendim absurd, po ikën një tjetër institucion i rëndësishëm rajonal

Qeveria heq arkivin nga Gjirokastra, PD: Vendim absurd, po ikën një

Partia Demokratike e Gjirokastrës ka reaguar pas vendimit për mbylljen e arkivit në këtë qytet. Në deklaratë thuhet se prej tri ditësh ka filluar puna për shpërnguljen e të gjitha materialeve dhe dokumentave prej arkivit të Gjirokastrës në drejtim të Lushnjës, ku dhe do të jetë destinacioni fundor i tyre.

“Me një vendim absurd Qeveria shqiptare dhe kryeministri Edi Rama i kanë dhënë të drejtën drejtorit të përgjithshëm të arkivit qendror shqiptar z. Ardit Bido që të autorizojë mbylljen e disa arkivave rajonalë dhe grumbullimin e tyre në disa magazina të përqendruara.

Pas kësaj, çdo qytetar i Qarkut Gjirokastër do ti duhet të udhëtojë qindra kilometra për të marrë një dokument në arkiv. Të njëjtin fat do të kenë edhe studiuesit apo pedagogët e Universitetit “Eqrem Çabej” që janë të interesuar për hulumtimin e dokumetave të ndryshëm arkivorë”, thekson PD e Gjirokastrës.

Në deklaratë thuhet se Gjirokastra humbet kështu edhe një tjetër institucion të rëndësishëm rajonal pas largimit që Qeveria ju bëri disa prej drejtorive dhe ndërmarrjeve të tjera duke i përqendruar ato në Fier, Vlorë dhe Lushnjë.

“Me sa duket Qeveria shqiptare e ka ndarë mendjen që ta kthejë Gjirokastrën në një periferi të parëndësishme administrative, duke i humbur përfundimisht asaj një nga karakteristikat e saj historike dhe egzistenciale; të qenurit një Qendër Administrative, Spitalore, Universitare, Ekonomike, Kulturore dhe Tregtarë Rajonale.

Kjo nuk është rastësi! Kjo është strategji idiote e Kryeministrit Rama”,  thekson PD e Gjirokastrës teksa u bën thirrje drejtuesve lokalë që të reagojnë.

 

Të fundit