Flash News

Rajoni

Analisti serb: Vuçiç pritet ta pranojë së shpejti planin franko-gjerman

Analisti serb: Vuçiç pritet ta pranojë së shpejti planin

Perëndimi duket se nuk ishte shumë i ashpër në kritika ndaj presidentit Aleksandar Vuçiç për manipulimet e shumta të procesit zgjedhor të 17 dhjetorit në Serbi, mendojnë analistët.

Ata theksojnë se partnerët perëndimorë po luajnë në mënyrë pragmatike, duke pasur parasysh se Vuçiç është ende i vetmi lojtar që mund ta përfundojë çështjen me Kosovën.

“Mund të konkludohet se Perëndimi është ende shumë tolerant ndaj presidentit të Serbisë [Aleksandar Vuçiç], se pret që ai t’i përmbushë premtimet e tij në lidhje me planin evropian rreth Kosovës pas formimit të qeverisë dhe se nuk duan ta ngucin deri atëherë. Pasi, në fund të fundit, nuk e shqetësojnë për vite të tëra derisa po ndërtonte një autokraci në Serbi”, thotë komentues i politikës së jashtme Boshko Jakshiq në një intervistë për Zërin e Amerikës.

“Është e qartë se në këtë fazë marrëdhëniet e Serbisë me Perëndimin janë më të këqijat me Gjermaninë dhe kjo mund të supozohej menjëherë pas formimit të qeverisë së re gjermane, sepse të Gjelbrit, të cilët kanë Ministrinë e Punëve të Jashtme, ishin kundërshtarë të mëdhenj të regjimit të Vuçiç, edhe në kohën kur në pushtet ishte Angela Merkel”, shton Jakshiq.

Nga ana tjeter, gazetari i Deutsche Welle, Dragoslav Dedoviq nuk është i befasuar që nuk ka pasur shumë kritika nga Perëndimi për gjithçka që u pa gjatë zgjedhjeve në Serbi të 17 dhjetorit.

Siç tha ai ka pasur shumë gjatë kontinuitet të shikimit përmes gishtave për Aleksandar Vuçiqin gjatë dekadës së fundit dhe tani është e vështirë ta ndryshosh atë brenda natës.
“Në vendet e të ashtuquajturave spin-demokraci, kthesat ndodhin me vullnetin e një njeriu dhe fushatat e medias së tij brenda 24 orëve. Kjo nuk ndodh brenda natës në vendet me institucione serioze, apo konfederata si BE. Por kjo do të ndodhë nëse vërtetohet vjedhja dhe menaxhimi zgjedhor nga partia në pushtet në Serbi. Unë mendoj se do të ketë pasoja, do t’i marrë ato pasoja dhe politika e jashtme e BE-së jo vetëm do ta regjistrojë, por do ta regjistrojë si një kthim të rëndë në marrëdhëniet me një vend që pretendon se është në rrugën e hyrjes në BE”, beson Dedoviq.

Ai beson se në Gjermani edhe pas kohës së Angela Merkelit vazhdoi politika që vetëm autokrati mund ta përfundojë çështjen me Kosovën, por edhe në Berlin dhe në përgjithësi në Perëndim nuk e llogarisin më Vuçiqin si partner serioz dhe se ata shtrojnë një pyetje serioze – sidomos pas ngjarjeve në Banjskë – a e kontrollon ende seriozisht situatën në vend presidenti i Serbisë.

Analistët serbë nuk pajtohen me vlerësimet se kritikat perëndimore për atë që ndodhi në zgjedhjet në Serbi duhet të priten vetëm pas festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, kur makineria politike të nxehet sërish.

Sipas tyre, partnerët perëndimorë po luajnë në mënyrë pragmatike, duke pasur parasysh se Vuçiq është ende i vetmi lojtar që mund ta përfundojë çështjen me Kosovën.

 

 

 

Të fundit