Flash News

Rajoni

Baerbock: Serbia nuk mund të hyjë në BE pa njohur Kosovën

Baerbock: Serbia nuk mund të hyjë në BE pa njohur Kosovën

Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, theksoi se Serbia nuk mund të hyjë në BE pa njohur Kosovën. „Si qeveri gjermane, ne kemi një qëndrim shumë, shumë të qartë për njohjen”, tha Baerbock. Ajo tha se Gjermania po punon në mënyrë aktive për anëtarësimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe kjo nënkupton njohjen reciproke.  “Fuqia e Bashkimit Evropian është se edhe nëse keni mendime të ndryshme në  fusha të ndryshme të politikave, duhet ta mbrojmë njëri-tjetrin në rast nevoje, Ajo që kemi në nenin 5 të Traktatit të NATO-s është e sanksionuar edhe në traktatin evropian, angazhimi reciprok.”

Baerbock e tha këtë në konferencën e përbashkët me homologen e saj nga Kosova, Donika Gërvalla-Schwarz, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetareje lidhur me “disa propozime që qarkullojnë që Serbia ta lejojë Kosovën të hyjë në organizata ndërkombëtare, si në OKB, dhe si shpërblim të përfitojë një anëtarësim më të përshpejtuar në BE”, duke nënkuptuar kështu propozimin gjermano-francez  për të cilin pati folur presidenti seb Vuçiç fundjavën e kaluar. 

Gërvalla nga ana e saj tha se lajme të tilla, edhe ajo si ministre, i ka mësuar nga mediat lokale dhe kujtoi se Rusia ushtron ndikimin kryesor në rajon nëpërmjet lajmeve të rreme në media. "Kishte raportime në mediat lokale, u publikuan disa faqe që unë si ministre e Jashtme e vendit tim i pashë vetëm në media. Nuk duhet të anashkalojmë faktin se ndikimi rus në rajonin tonë shprehet kryesisht përmes raportimeve të rreme në media", tha kryediplomatja e Kosovës. 

Por ajo shtoi se "ka vazhdimisht nisma shumë interesante që hidhen në diskutim nga partnerët tanë" dhe sqaroi edhe një herë qëndrimin e Kosovës. "Normalizimi në dialogun me Serbinë mund të kulmojë vetëm me njohjen reciproke". Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në OKB, ajo tha se "natyrisht është për të ardhur keq që nuk kemi vetëm zërin kundërshtues të Serbisë, por kemi edhe dy aktorë në Këshillin e Sigurimit për momentin, që do ta kundërshtonin pranimin e Kosovës. Dhe këto janë Rusia dhe Kina. Prandaj rruga e Kosovës për në OKB është ndoshta pak më e gjatë. Por kjo nuk do të thotë se ne mund të dorëzohemi dhe se mund të anashkalojmë faktin se Kosova e ka fatin e saj në duart e veta, sepse ajo që ne mund të bëjmë, pa Rusinë, pa Kinën, pa Serbinë, është që të punojmë në vendin tonë për demokraci. për progres, për shtetin ligjor, për një të ardhme më të mirë, për të rinjtë tanë."/ DW

Të fundit