Flash News

Rajoni

Ballkani perëndimor:  A erdhi koha e shoqërimit amerikan për hegjemoninë europiane?

Ballkani perëndimor:  A erdhi koha e shoqërimit amerikan për

nga Sébastien Gricourt*

Nuk ka dyshim që zgjedhja e Joe Biden përbën një kthim fatlum në normalitetin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ama, meqë kthjelltësia na detyron të pranojmë se paraardhësi i tij, Donald Trump, qe përfundimisht jo thjesht njeri i turbullirave, por ai i një epoke të zënë pritë para thyerjeve dhe çrregullimeve, duhet të reflektojmë mbi “normalitetin” e të kuptuarit të ardhshëm transatlantik. Lidhur me këtë, Ballkani perëndimor – ky “investim gjeostrategjik” i afirmuar tashmë prej Bashkimit Europian që me strategjinë e tij të vitit 2018 – mund të kthehet në model të rithemelimit të lidhjeve mes Washingtonit dhe Brukselit, me kusht që të dy partnerët të pajtojnë saktë vizionet e tyre për të ardhmen e rajonit duke mos u kënaqur vetëm me rilidhjen me të shkuarën.

Kur ishte senator në vitet ’90, Joe Biden u prek thellë nga luftrat në ish-Jugosllavi, ku dhe shkoi në prill të 1993-shit. Siç e kujtoi edhe vetë në fushatën zgjedhore, nëpërmjet mesazheve specifikë që u drejtoheshin zgjedhësve me origjinë boshnjake dhe shqiptare, ai mbrojti me bindje përgjatë atij dhjetëvjeçari, pranë shefit të Shtëpisë së Bardhë, Bill Clinton-it, ndërhyrjen amerikane përmes NATO-s (fushatat ajrore në gusht-shtator në Bosnje-Herzegovinë dhe mars-qershor 1999 në Serbi dhe Kosovë) me qëllim që t’i jepej fund krimeve të luftës dhe atyre kundër njerëzimit. 

I lidhur emocionalisht me rajonin, të cilin e vizitoi edhe disa herë të tjera si zv.president – po ashtu si dhe ai që sot është ngritur në postin e sekretarit të shtetit, Antony Blinken – zgjedhja e tij do të duhej të rivendoste ekulibrin në politikën amerikane në rajon pas asaj të pararendësit të vet që e kishte kthyer veçanërisht në favor të presidentit nacionalist serb, Aleksandar Vučić, dhe që orkestroi në të njëjtën kohë në Kosovë përmbysjen e një qeverie të zgjedhur demokratikisht vetëm për të larguar prej pushtetit partinë kryesore, e cila nuk u konsiderua në pajtim me synimet afatshkurtër të presidentit amerikan.

Bashkëpunimi SHBA-EU do të jetë fjala kyçe... 

Teksa i përgjigjej kryetarit të Këshillit Europian, Charles Michel, dhe kryetares së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, nëpër bisedat telefonike për përgëzimet e fitores, presidenti i sapozgjedhur shprehu “bindjen se një Bashkim Europian i fortë është në interes të Sheteteve të Bashkuara”. Nga ana tjetër, ai nënvizoi rëndësinë që i kushton bashkëpunimit me Europianët lidhur me “çështje të shqetësimeve të ndërsjellta”, duke përmendur këtu Ballkanin perëndimor pas Iranit, Bjellorusisë dhe Ukrainës. Sigurisht, kjo shprehje e shkurtër mbi çështjet e nxehta mund ta tkurrë këdo që mbron ambicjet për një BE ndikuese në skenën botërore, por e tillë është edhe analiza që Washingtoni bën sot mbi kufizimet e kësaj fuqie në zhvillim e sipër. E nëse duhet të mjaftohemi me kaq për momentin, rajoni ballkanik duket se është i përfshirë të paktën në programin e përparësive të marrëdhënieve transatlantike. 

Sa për ambicjet globale të BE-së në partneritetin e përforcuar me Washingtonin, punimet e Këshillit Europian dhe Komisionit Europian për përgatitjen e diksutimeve me administratën e ardhshme dhe, tani shpejt, përfundimet e samitit të BE-së më 10 dhe 11 dhjetor, tregojnë vullnetin e një Bashkimi Europian që trajtohet si aleat strategjik dhe autonom në pozita të barabarta, pa qenë naivë përsa i takon natyrës konkurruese të marrëdhënieve në disa fusha dhe raportet e rinj të sundimit në botë. 

Në këtë botë që ka ndryshuar aq shumë, ne mësojmë shumë nga ç’ka dalë prej një bashkëbisedimi telefonik informal në lidhje me Ballkanin me ish-zv.sekretarin e shtetit për çështjet politike dhe këshilltarin e afërt të presidentit të zgjedhur, Nicholas Burns, për shembul faktin se presidenti i zgjedhur mbështet kthimin te synimet afatgjatë, në kundërshti të dukshme me kërkimin rastësor të zgjidhjeve të shpejta të presidentit në ikje. Diplomati i referohet globalisht synimeve të vjetër bipartizanë për “Europë të plotë e të lirë”, gjë që karakterizoi epokën perëndimore ngadhnjyese dhe të shkuar që ndoqi rënien e bllokut sovjetik. Kështu që ai vlerëson se integrimi i shteteve ballkanikë në BE dhe NATO bëhet më shumë se kurrë mision kur merren parasysh kërcënimet e Rusisë dhe Kinës në Europë.

… çka konfirmon kthimin te vazhdimësia...

Edhe pse referimi te koncepti i viteve ‘90 na kujton me dhimbje se ishin pafuqia europiane dhe ajo e Kombeve të Bashkuar që çuan atëherë në ndërhyrjet përcaktuese amerikane, diplomati vlerëson megjithatë se i takon gjithsesi BE-së të drejtojë, për shembull, diplomatikisht dialogun mes Serbisë dhe Kosovës. Ky pozicion nuk nënkupton vetëm faktin se përparësitë gjeopolitike dhe gjeoekonomike amerikane janë gjetiu, por konfirmon masën e kryer në përshtatjen graduale europiane për administrim e çështjeve të fqinjësisë më të afërt. Le të kujtojmë se pas gabimeve tragjikë në Bosnjë-Herzegovinë, Europianët u përgjigjën menjëherë pozitivisht interesave të njëjtë për paqe në Jugosllavi, dhe qenë kësisoj shumë më shpejt aktivë në Kosovë, politikisht dhe ushtarakisht. 

Kështu që, në bazë të çka u mësua nga luftrat jugosllave, samiti franko-britanik i Saint-Malosë në dhjetor 1998, i cili do të përkufizonte një vit më vonë kuadrin për politikën europiane të sigurisë dhe mbrojtjes (ESDP), më pas nisja në qershor 1999 e procesit të stabilizim-asocimit me Ballkanin perëndimor, shtetet e të cilit panë të konfirmohet, në samitet e Zagrebit (2000) dhe pastaj të Selanikut (2003), prirja e tyre për t’u bashkuar dikur me BE-në, janë gjurmët e rëndësishme të peshës në rritje të BE-së për zgjidhjen afatgjatë të pasojave të dhjetëveçarit të zhbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë. 

Ky dhjetëvjeçar i parë i shekullit XXI dëshmon konkretisht tashmë sipërmarrjen prej BE-së të stabilizimit të rajonit dhe vendosjen europiane të këtij të fundit, ndërkohë që rregullimi i statutit të Kosovës me shpalljen e pavarësisë së saj në 17 shkurt 2008 dhe e konfirmuar në 22 korrik 2020 me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, mbyllin pjesën kyçe të investimit amerikan. Në fakt, në atë kohë Shtetet e Bashkuar po merreshin seriozisht me ngritjen e Kinës (veçanërisht në favor të krizës financiare botërore të vitit 2008), ndërsa ish-presidenti Barack Obama do të nxiste zyrtarisht boshtin Azi-Paqësor që prej 2011-s, gjë që simbolizonte tashmë qëndrimin “leading from behind” gjatë ndërhyrjes në Libi po të njëjtin vit. 

… apo udhën e një “accompanying  from behind”?

Sidoqoftë, duke vënë mënjanë këto vite trumpiane të karakterizuara nga një qasje sa ndërhyrëse aq dhe përjashtuese ndaj Europianëve, vëmë re se katërvjeçari i dytë i presidentit Obama ishte në një farë mënyre një si kthim i SHBA-së në bahçen europiane. Të bezdisur me ngadalësinë europiane për t’i realizuar premtimet e integrimit, dhe të shqetësuar prej veprimeve të rivalëve të jashtëm që përfitonin nga lodhja me zgjerimin dhe boshi strategjik, Shtëpia e Bardhë tregoi atëherë shenja të qarta padurimi. Megjithatë, në prag të hyrjes në këtë dekadë të katërt, dallimet e sotëm me situatën rajonale që njohu presidenti i mëparshëm demokrat u përkasin kategorive të ndryshme. 

Si fillim në planin e sigurisë, synimi kryesor amerikan është arritur pothuaj me NATO-n që e ka fuqizuar praninë dhe mbrojtjen e përbashkët me aderimin e Malit të Zi (2017) dhe Maqedonisë së Veriut (2020). Podgorica përmbushi kështu dispozitivin gjatë bregut të Adriatikut, ndërkohë që sfidat e ardhshme të së dhënës së re politike, me një qeveri koalicioni që i dha fund këtë verë çerekshekullit të pushtetit të Milo Đukanovićit, u takojnë prioriteteve të marrëdhënieve me BE-në. Shkupi (me Tiranën, anëtare që prej vitit 2009) është ftuar të zërë një vend të rëndësishëm dhe në rritje në kontekstin e degradimit të marrëdhënieve të BE-së dhe NATO-s me Turqinë, por vendi ka kaluar tashmë që prej 2017-s shumë sprova jetike që presin vetëm shpërblimin me nisjen konkrete të negociatave të aderimit. Ndodh po e njëjta gjë për Shqipërinë, edhe kjo në pritje të mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare. Kështuqë, pengesa aktuale ndaj Maqedonisë së Veriut prej Bullgarisë me kushtin e njohjes së gjuhës bullgare si dhe përgjigjet ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për të përmbushur kushtet paraprake shtesë që i imponohen, janë çështje që i përkasin vetëm autoritetit të BE-së dhe aftësisë së saj me qenë e besueshme, duke mos e përjashtuar këtu gjithsesi shoqërimin amerikan. 

Në këtë këndvështrim, po qe se dialogu Serbi-Kosovë do të duhet të mbetej me përparësi europian, Bosnje-Herzegovina ofron, një çerekshekulli pas marrëveshjeve të Daytonit, mundësinë e një partneriteti më të fuqishëm mes Brukselit dhe Washingtonit. Në fakt, zgjedhjet bashkiake të mesit të nëntorit në Bosnje-Herzegovinë që u dhanë goditje partive tradicionale dhe zgjedhja e shumëpritur e 20 dhjetorit në Mostar (për të parën herë që prej vitit 2008) përbëjnë një sinjal të fortë për vullnetin e ndryshimit që mund të shfaqë kthesë pozitive në zgjedhjet legjislative dhe presidenciale të vitit 2022, po qe se ndiqet dhe koordinohet në mënyrën e duhur. 

Së fundmi, në planin e angazhimit politik të Brukselit lidhur me Ballkanin Perëndimor, administrata e re amerikane do të duhet të pranojë se këto vitet e fundit kanë vënë në dukje një ndërgjegjësim nga ana e Europianëve. Çështja e aderimeve të reja nuk është më vetëm perspektivë e propozuar në fillim të shekullit, por është bërë këtej e tutje çështje jetike besueshmërie, jo vetëm për angazhimin e kandidatëve por edhe të vetë BE-së. 

Ndaj procesit të integrimit që e ka humbur forcën e vet transformuese duke shpërblyer edhe nëpërkëmbësit e vlerave demokratike të shtetit të së drejtës, si dhe përballë stagnimit që u ka lënë hapësira fuqive të jashtme që nuk ndajnë të njëjtat vlera, BE-ja po provon t’i marrë gjërat në dorë. Të paktën do të duhet bindur Washingtoni se po ndodh pikërisht kështu, dhe këtë duke treguar se metodologjia e re e negociatave të aderimeve që ka nisur Franca me zhurmë në vjeshtën e vitit 2019 hap vërtet një dinamikë konvergjente për të gjitha palët, ngaqë përndryshe ajo do të interpretohet si shtysë për vullnet përngadalësues të ritmeve të aderimit. Në fakt, ndihma e dhënë për rajonin për përballjen e pandemisë (3,3 miliardë euro), apo edhe Plani ekonomik dhe i investimeve (9 miliardë euros), i njoftuar këtë vjeshtë, paraqesin angazhim konkret të një Bashkimi Europian të vendosur (urojmë të jetë kështu), për me marrë përsipër të gjashtë vendet kandidatë si “përgjegjësi e ngutshme” me synim realizimin e “qëllimësisë” së Bashkimit.

Këtej e tutje, me aleatin britanik që nuk është më i pranishëm për t’u deklaruar në mbrojtje të integrimit liberal të tregut ballkanik dhe për të bllokuar çdo thellim politik të BE-së, dhe me vende anëtarë si Hungaria që mbështet integrimin e shteteve ballkanikë për zgjerimin e rrethit të vlerave joliberale për rrënimin e vlerave themelore europiane, duket qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do të kenë asnjë mundësi tjetër strategjike veç mbështetjes së plotë për BE-në dhe shoqërimit të përpjekjeve të saj. Në të njëjtën kohë, Washingtoni do të sigurohet se autonomia strategjike e synuar nga Brukseli nuk shpie në dobësim të NATO-s, gjë që nuk ka qenë kurrë qëllim, por vetëm moskuptime europiane dhe transantlantike, të cilët do të duhet të tejkalohen për me vendosë partneritetin e kërkuar. 

Meqenëse Presidenti i zgjedhur amerikan pranon se një Europë e fortë e rivendos këtë të fundit si aleate të besueshme dhe të aftë, a do të lejojë ai që në epokën e re suksesi i procesit të aderimit të varet njëherësh prej shfaqjes së lidershipit europian – e vetmja mundësi që të zbutet ndikimi relativ i aktorëve të jashtëm – edhe prej natyrës së shoqërimit amerikan të proceseve? 

*Drejtor i Observatoire des Balkans de la Fondation Jean-Jaurès

Ditari politik

Të fundit