Flash News

Rajoni

Dha dorëheqjen pasi humbi zgjedhjet, Zoran Zaev nuk do të shkojë në Beograd për ‘Ballkanin e Hapur’

Dha dorëheqjen pasi humbi zgjedhjet, Zoran Zaev nuk do të shkojë

Pasi dha dorëheqjen si kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev nuk do të shkojë në Beograd për ‘Ballkanin e Hapur’, i planifikuar të mbahet në 3 dhe 4 nëntor.

Lajmi është konfirmuar për median serbe Tanjug nga kabineti i Zaev.

Zoti Zaev nuk do të vijë në Beograd, duke pasur parasysh situatën politike”, kanë thënë nga zyra e tij.

Ata shtojnë se Maqedonia e Veriut do të përfaqësohet në takimin në Beograd, por do të përcaktohet një tjetër përfaqësues politik.

Fillimisht ishte planifikuar që kryeministrat e Maqedonisë dhe Shqipërisë, Zoran Zaev dhe Edi Rama të vizitonin Serbinë më 3 dhe 4 nëntor, në një takim për nismën e “Ballkanit të Hapur”.

Megjithatë, pas rezultatit të dobët të partisë së tij në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, Zaev dha dorëheqjen si kryeministër mbrëmë.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama, është takuar sot me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në kuadër të Samitit për Klimën. Përmes një postimi në Instagram, Vuçiç ka thënë që në takimin e radhës në Beograd, duhet të merren parasysh ngjarjet e fundit në Shkup ku kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dje ka dhënë dorëheqje.

Mbështetje e fortë për Ballkanin e Hapur. A duhet të mbajmë apo të shtyjmë takimin në Beograd, duke marrë parasysh ngjarjet në Shkup”, ka shkruar Vuçiç.

Kujtojmë që Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi nuk kanë pranuar të bëhen pjesë e kësaj nisme. Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama thotë se "Open Balkan" ka në thelb atë çka kërkon "Procesi i Berlinit". 

Ai ka kërkuar mbështetjen e BE-së për këtë nismë, ndërsa shprehet se "Open Balkan" forcon bashkëpunimin në rajon dhe nxit zhvillimin e ekonomisë. Qëndrimet e tij kanë nxitur "përplasje" në distancë me liderët politikë të Kosovës.

Planet për krijimin e Open Balkan u deklaruan për herë të parë në takimin e mbajtur më 10 tetor 2019 në Novi Sad të Serbisë. Më pas tre liderët, Rama, Aleksandër Vuçiç i Serbisë dhe Zoran Zaev i MV kanë zhvilluar takime të herë pas hershme, ku kanë nënshkruar dhe disa marrëveshja që lidhen me tregtinë.

Të fundit