Flash News

Rajoni

Dy të vdekur pas rrëzimit të një avioni ushtarak pranë Parkut Kombëtar Circeo

Dy të vdekur pas rrëzimit të një avioni ushtarak pranë

Dy anëtarë të Forcave Ajrore Italiane humbën jetën të mërkurën pas rrëzimit të avionit të tyre T-260B gjatë një stërvitjeje mbi Parkun Kombëtar Circeo, në jug të Romës, pranë qytetit të Sabaudia.

Sipas mediave italiane, ekipet e shpëtimit gjetën rrënojat e avionit që digjeshin dhe trupat e dy viktimave brenda. Avioni u rrëzua pranë njërës prej hyrjeve të parkut, në një zonë të pyllëzuar ku nuk ndodhej askush tjetër në atë moment. Shkaqet e aksidentit mbeten ende të panjohura dhe hetimet për zbardhjen e tyre janë në zhvillim.

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, shprehu ngushëllimet e saj për familjet e viktimave dhe Forcat Ajrore, përmes një postimi në rrjetin “X”:

“Shpreh hidhërimin tim të thellë për aksidentin që i ndodhi një avioni të Forcave Ajrore pranë Parkut Kombëtar Circeo. Ngushëllimet e mia dhe të Qeverisë familjeve të viktimave, Forcave Ajrore dhe të gjithë Ministrisë së Mbrojtjes.”

Rrëzimi i avionit ushtarak ka shkaktuar shqetësim në strukturat e mbrojtjes italiane, ndërsa hetimet për të përcaktuar shkaqet e saktë do të vazhdojnë në ditët në vijim.

Të fundit