Flash News


Rajoni

Ekzekutohet në Turqi bosi i drogës malazeze

Ekzekutohet në Turqi bosi i drogës malazeze

Media malazeze raportoi të enjten se Jovan Vukotiç, 42 vjeç, i dyshuar si kreu i bandës famëkeqe të drogës Skaljari, u vra në Turqi. Mediat raportuan se ai u qëllua për vdekje nga një motoçikletë teksa ishte në një makinë me gruan dhe vajzën e tij, raporton Balkan Insight.

Policia malazeze nuk e ka konfirmuar zyrtarish vdekjen e Vukotiçit.

“Shërbimet malazeze po përpiqen të marrin informacion dhe konfirmim nga kolegët në Turqi. Megjithatë, procedura është e ngadaltë”, tha Drejtoria e Policisë për radio Antena M.

Vukotiç ishte në arrati pasi autoritetet gjyqësore malazeze në shtator të vitit të kaluar lëshuan një urdhër të kuq për arrestimin e tij.

Ai figuron në dosjet dhe dokumentet e policisë së Malit të Zi si një nga drejtuesit e bandës së drogës me qendër në qytetin e Kotorrit. Në vitin 2018 ai mohoi përfshirjen në trafikun e drogës.

Në dhjetor 2020, Prokuroria Speciale e Shtetit e akuzoi Vukotiçin për krijimin e një organizate kriminale dhe për përgatitjen e vrasjes së tre anëtarëve të bandës rivale të drogës Kavac.

Sipas prokurorisë, Vukotiç planifikoi të vriste Slobodan Kascelan, të supozuar si mbret i bandës së Kavacit, dhe Veljko Belivuk dhe Marko Miljkovic, krerët e një bande tjetër famëkeqe nga Serbia.

Vukotiç u akuzua si rezultat i provave të marra nga komunikimet e Sky ECC, të marra dhe të transmetuara nga policia franceze dhe holandeze, për krime që përfshijnë trafik droge, vrasje dhe rrëmbim.

Banda e Skaljarit është përfshirë në një luftë gjashtëvjeçare me bandën rivale të Kavacit, po nga Kotorri. Të paktën 40 persona janë vrarë në Mal të Zi, Serbi, Austri dhe Greqi në konflikt. Të dyja bandat i marrin emrat e tyre nga lagjet e Kotorrit, një qytet mesjetar me rreth 20,000 banorë në Gjirin Boka të Malit të Zi.

Konflikti nisi në vitin 2015, pasi 300 kilogramë kokainë u zhdukën nga një apartament në Valencia, Spanjë, në vitin 2014.

Në vitin 2018, Vukotiç u arrestua në Turqi dhe u ekstradua në Serbi, ku Gjykata e Lartë në Beograd e dënoi me 15 muaj burg për përdorimin e një pasaporte të falsifikuar maqedonase. Në shkurt 2020, ai u ekstradua në Mal të Zi, ku u akuzua për tentativë vrasjeje të anëtarëve të bandës së Kavacit. Por në korrik të atij viti Gjykata e Lartë në Podgoricë i hoqi akuzat dhe ai u lirua.

Të fundit