Flash News

Rajoni

Escobar: Bashkimi Evropian ta shohë Ballkanin Perëndimor si mundësi jo si rrezik

Escobar: Bashkimi Evropian ta shohë Ballkanin Perëndimor si

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të hënën në Prishtinë se Bashkimi Evropian duhet ta shohë rajonin si mundësi dhe jo si rrezik, ndërsa theksoi se Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Kosovës.

Zoti Escobar i bëri këto komente në ditën e parë të vizitës së tij bashkë me të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, në kundër të përpjekjeve për ripërtëritjen e bisedimeve ndërmjet të dyja palëve.

Të dy të dërguarit u takuan me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti dhe do të qëndrojnë deri të mërkurën në Prishtinë, prej nga pritet të shkojnë në Beograd.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Kosovës. Ju keni dëshmuar që jeni partner i qëndrueshëm, mik i mirë dhe për këtë ju falënderojmë”, tha në një paraqitje të shkurtër para gazetarëve zoti Escobar.

Ai theksoi se Kosova dhe rajoni janë një mundësi e jashtëzakonshme me energji të jashtëzakonshme. “Ju jeni evropianë, ekonomikisht, kulturalisht dhe historikisht jeni evropianë dhe ne kemi punuar me kolegët tanë evropianë për t’u siguruar se ata e kuptojnë që Ballkani Perëndimor është një mundësi e jashtëzakonshme për ta dhe jo rrezik. Në këtë kuptim, ne inkurajojmë të gjitha palët që ta shohin Ballkanin Perëndimor si anëtar potencial të BE-së në të ardhmen, që të gjitha ata (vendet e rajonit) në paqe me njëri-tjetrin, që të gjithë produktivë dhe anëtarë të aftë, ashtu siç i kemi parë ne si partnerë dypalësh Shpresa kryesore për këtë është përmes dialogut”, tha zoti Escobar.

Ai ritheksoi mbështetjen amerikane që bisedimet duhet të udhëhiqen nga Bashkimi Evropian.

I dërguari i BE-së, Miroslav Lajak tha se vizita e përbashkët është për të dërguar mesazh të qartë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po punojnë dorë për dorë, ngushtë së bashku, “se ne ndajmë pikëpamjen tonë për Kosovën, për bisedimet për normalizim me Serbinë dhe për të ardhmen e rajonit. Dhe më vjen mirë që kjo vizitë tashmë ofroi mundësi për të diskutuar planet tona për javët dhe muajt e ardhshëm me zonjën presidente dhe kryeministrin. Do të vazhdojmë diskutimet tona dhe do të qëndrojmë këtu deri të mërkurën dhe jam i sigurt se kjo do të na ndihmojë të arrijmë një pasqyrë shumë të mirë për atë çfarë të presim në të ardhmen dhe si ta çojmë procesin tonë përpara”./ VOA

Të fundit