Flash News

Rajoni

Intervista/ Deputeti shqiptar në Parlamentin serb: Pse fjalimi im e shqetësoi Vuçiçin

Intervistë me deputetin shqiptar në parlamentin e Serbisë, z. Shaip Kamberi

Intervista/ Deputeti shqiptar në Parlamentin serb: Pse fjalimi im e

Intervistoi: Vojkan Ristiç/ gazeta Danas  

Si deputet jam zgjedhur me votën e shqiptarëve, kolegët boshnjakë nga Partia e Aksionit Demokratik më kanë mbështetur që të jem edhe kryetar i grupit të përbashkët të deputetëve në parlamentin serb.

Ju besoj e dini se fjala ime si deputet në parlament nuk e vinte theksin vetëm te të drejtat e shqiptarëve. Ju po e shihni edhe vetë se ekzistojnë probleme të mëdha në këtë shoqëri, probleme për të cilët kam folur. Kjo para të gjithave ka të bëjë me refuzimin kokëfortë të përballjes me të kaluarën, mossinqeritet në rrugën drejt antarsimit në Bashkimin Europian, totalitarizmi që po forcohet dhe po godet gjithnjë e më fort, mungesa e unitetit dhe e ideve te opozita në tërësi së cilës i duhet të veprojë në një fushë politike ku qeveris vetëm një lojtar.

Kështu i përgjigjet Shaip Kamberi në bisedën për gazetën “Danas” pyetjes sesi e konsideron faktin që fjalimi i tij në parlamentin e Serbisë ka tërhequr kaq shumë vëmendjen e opinionit publik serb, pasiqë kryeministrja Ana Branbiç bëri prezantimin e qeverisë dhe ekspozenë përkatëse.

Kamberi (56 vjeç) është njëri prej gjashtë deputetëve nga Grupi parlamentar Lugina e bashkuar-Partia e Aksionit Demokratik. Ai është jurist i diplomuar dhe kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, organizata më e vjetër politike e shqiptarëve etnikë në Jugun e Serbisë.

D. Si e komentoni reaksionin e Ivica Daçiçit, Ana Brnabiçit si dhe atë të presidentit Aleksandër  Vuçiç në lidhje me fjalën tuaj në Parlamentin e Serbisë?

Sh.K. –E prisja se nuk do të jenë dakord me atë që do të thoja, dhe për këtë, në frazën e parë thashë se nuk kam  për ta dëgjuar këshillën e Mesha Selimoviçit se “nuk duhet të flasësh gjithmonë atë që mendon”. Por, vendosa të flas pa marrë parasysh situatën. Më duhet ta pranoj se nuk e  prisja një mungesë të tillë tolerance. Në mënyrë të veçantë jo nga e mandatuara Ana Brnabiç, për të cilën kam pas menduar se është e matur.

Gjithsesi, fjalimet e mia të ardhshme nuk do të varen nga fakti nëse dikujt do t’i pëlqejnë ose jo, qoftë edhe kryetarit të parlamentit ose ndokujt sipër tij. Unë dhe deputetë e grupit tim parlamentar do të flasim në mënyrë konstruktive për gjithçka që mendojmë se do të jetë e nevojshme.

D. Jeni një prej gjashtë deputetëve të pakicave që janë në opozitë. A ka lidhje  qëndrimi juaj me faktin se shqiptarët dhe boshnjakët nuk morën ndonjë post në ndonjë prej ministrive?

Sh.K. - Unë, Shaip Kamberi kurrë nuk do ta kërkoja ndonjë ministri. Mua më kanë zgjedhur bashkëkombasit e mi si deputet në Parlamentin e Serbisë që të paraqes problemet me të cilët ata përballen, dhe unë do ta bëj këtë. E kam fjalën për të drejtat që i përkasin pjestarëve të pakicës kombëtare shqiptare si kategori kushtetuese, qoftë në pushtet, në opozitë ose edhe në rast se nuk do të ishim pjesë e parlamentit.

Mbrojtja e të drejtave të pakicave kombëtare është pjesë e mbrojtjes ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, dhe ne kërkojmë respektimin e këtij parimi. Argumentime në stilin se ne flasim sepse nuk jemi zgjedhur ministra flet për pafuqinë e koalicionit qeveritar për t’u përballur në mënyrë të argumentuar me kritikat.

D. Shumë veta e konsiderojnë qëndrimin tuaj si hakmarrje e atyre që nuk kanë patur vend në “ekipin e Vuçiçit”?

Sh.K. - Presidenti Vuçiç ka thënë njëherë se synon të ndërtojë një ekip siç është gjigandi futbollistik Bajern i Mynihut. Si tifoz i apasionuar i Realit të Madridit kurrë nuk doja të isha në atë ekip.

D. Sikur të ishin bërë ministër, siç thonë bujanovasit tuaj, ndoshta nuk do të flisnit për “Serbinë si Bjellorusi”?

Sh.K. - Mendoj se pyetja duhet shtruar ndryshe: a thua vallë do të pranoja të bëhesha ministër i Serbisë e cila hesht mbi varrezat masive të shqiptarëve, e cila nuk dëshiron të ndriçojë historinë e vrasjes së vëllezërve Bytyçi dhe e cila nuk pranon genocidin në Srebrenicë?

D. Shtruat përsëri problemin e varrezave masive në të cilët thuhet se janë varrosur shqiptarë, vrasjen e pazgjidhur të vëllezërve Bytyçi, si dhe vrasjen e gazetarit Sllavko Çuruvija. A keni më shumë informacione mbi të gjita to që keni thënë në parlament?

Sh.K. - Nëse ministri i Punëve të Jashtme u bën thirrje publike serbëve që të mos i tregojnë këto vende, a ka vend më për të dyshuar se një gjë e tillë vërtetë ekziston? A keni ju ndonjë përgjigje?

D. A ju ka kontaktuar ndonjëri nga “ekipi i bojkotuesve” nga opozita serbe pas asaj që ju keni thënë, sepse edhe ata do të donin ta thonin, por nuk kanë shanse për një gjë të tillë?

Sh.K. - Jo, sepse unë personalisht si politikan  nuk kam kurrfarë ambicje për t’u marrë me punën e liderit të opozitës në Serbi. Raporti ndaj pakicave është tregues i rëndësishëm i demokratizimit të një shoqërie, por, pa marrë parasys vullnetin e pakicave, përgjegjësia për demokratizimin e Serbisë qëndron te populli që është shumicë, e më e pakta te pakicat dhe partitë e tyre.

D. Cili është mesazhi juaj për liderët e opozitës-Gjillasin, Jeremiçin, njerëzit nga Partia Demokrate e përçarë- që thonë ju gjithsesi nuk keni kurrfarë kapacitetesh, përveç atyre retorike, për të sendërtuar ndonjë lëvizje politike në parlamentin e Serbisë? 

Sh.K. - Ata duhet ta dinë vetë se cilat janë synimet e tyre politike programore të shprehura para qytetarëve dhe mënyrën sesi mund t’i sendërtojnë. Përmendët emrat e njerëzve që kanë eksperiencë më shumë se unë, folët edhe për parti që janë tejet më të forta sesa Partia jonë për veprim demokratik, kryetar i së cilës jam që prej dy vitesh, pas Riza Halimit. Nuk më takon mua t’i mbaj leksione asnjë politikani në Serbi.

D. Presidenti Vuçiç ju ka akuzuar Juve personalisht se “keni larguar serbët, 42% të tyre, që kanë votuar për Partinë Përparimtare të Serbisë nga pushteti lokal në Bujanoc”. Si e komentoni këtë duke patur parasys faktin se administratën lokale nuk e drejton Partia për Veprim Demokratik, por Partia Demokatike e Nagip Arifit?

Sh.K. -Kryetari i shtetit duhet të jetë i njohur me situatën në tërë territorin e Serbisë, përfshirë edhe në “terrenin aktual”. Te jesh i “painformuar” është një mesazh i keq. Për këtë më duhet të theksoj parimin e multietnicitetit që është vendosur në komunat tona që në vitin 2002, i cili është shkelur para dy vitesh në Medvegjë, dhe këtë e ka bërë pikërisht Partia përparimtare e Serbisë, kur nuk pati tolerancë për tu gjetur sëpaku  një vend për përfaqësimin e një pakice kombëtare që jeton në këtë komunë. Kryetari i shtetit ka detyrimin kushtetues që të përkujdeset për atë që parimet dhe principet të vlejnë në mënyrë universale, si në Bujanoc ashtu edhe në Medvegjë, jo në mënyrë të pjesshme kur bëhet fjalë për serbët në Bujanoc dhe të cilët janë antarë të Partisë Përparimtare serbe- dega Bujanoc.

D. Në Bujanoc më kanë thënë mua personalisht se ju si deputet “poshtëroni shtetin e Serbisë dhe se çdo vit nga buxheti i shtetit keni marrë deri në 20 milionë euro”, kur keni qenë në krye të administratës lokale?

Sh.K. - Dihet se tranferime të rregullta parash merr çdo komunë në Serbi dhe jo vetëm “Unë” siç e nënvizoni në pyetjen tuaj. Ato para siç u kanë shkuar të gjitha komunave në Serbi por ashtu i kanë shkuar edhe buxhetit të komunës Bujanoc. Paratë nuk janë derdhur në asnjë llogari timen bankare, siç u kanë thënë këto burime gjithmonë të mirëinfomuara nga Bujanoci.

D. Cilët kanë qënë reaksionet ndaj fjalimit tuaj në parlamentin e Serbisë nga Prishtina, por edhe nga Tirana? A keni patur kontekte konkrete?

Sh.K. - Unë nuk kam lexuar asnjë reaksion të zyrtarëve nga Prishtina apo Tirana. Ta dini, unë si deputet përfaqësoj shqiptarët e Luginës së Preshevës me  një program të qartë politik të partisë tonë dhe programin që kemi si koalicion “Lugina e bashkuar”.

D. Ku e shihni punën tuaj dhe të pesë deputetëve tjerë të opozitës në Parlamentin e Serbisë?

Sh.K. - Ne do të vazhdojmë të punojmë aktivisht në parlament. Do të japim mendimin tonë kolektiv, iniciativa për çdo çështje që e mendojmë se është e nevojshme, do të formulojmë propozime, zgjidhje më të mira, nëse ndokush dëshiron të na dëgjojë ose t’i pranojë. Me siguri që shumicës një gjë e tillë nuk ka për t’i pëlqyer, por nuk është detyrimi jonë që t’ia bëjmë qejfin askujt, e në këtë kuadër as kësaj shumice që ekziston aktualisht.

D. A i frikësoheni nëntokës së mediave tabloide që drejtohen nga njerëz të koalicionit qeveritar?

Sh.K. - Edhe për t’iu përgjigjur kësaj pyetje më duhet edhe njëherë t’i drejtohem citateve të shkrimtarit Mesha Selimoviç, i cili nënvizon: “E kush nuk më ka spiunuar, kush nuk i’a ka vënë veshin çdo fjale që kam thënë, sa mercenarë dhe roje vullnetare kanë ndjekur rrugën time dhe kanë mbajtur shënime e kanë mbajtur mend çdo veprim timin” dhe “le të flasin të fuqishmit për pafuqinë njerzore”, detyra jonë si të pafuqishëm është “të flasim për detyrën njerzore për të mbetur njeri”. 

D. Cili është roli i mediave në ndjekjen e një përbërje të këtillë të parlamentit të Serbisë?

Sh.K. - Do të jem tërësisht i sinqertë. Jemi në një situatë ku kanë mbetur pak media, e kam fjalën për mediat e lira. Jam i mendimit se, edhe përkundër kësaj situate, këto media kanë misonin e përcjelljes të së vërtetës. 

D. Cilët cilësoni si problemet më të mëdha të shqiptarëve dhe, duke patur parasysh edhe eksperiencën tuaj, edhe ato qytetarëve të tjerë në Jugun e Serbisë, e këtu përfshihen edhe serbët, romët, boshnjakët?

Sh.K. Para së gjithash, është problem i përjetshëm integrimi i shqiptarëve dhe i të gjithë pakicave të tjera në institucionet shtetërore. Një kërkesë që ne e përsërisim me këmbëngulje, por po ashtu me këmbëngulje, çdo qeveri e Serbisë e trajton këtë si provokim. Përgjigjmuni sesi duhet të veprojë bashkësia shqiptare nga Presheva, Bujanoci, Medvegja, që për më shumë se njëzet vite kërkon vazhdimisht të integrohet në shërbimet shtetërore dhe publike dhe, kjo kërkesë plotësisht legjitime, injorohet me kokëfortësi ose refuzohet, apo konsiderohet madje edhe si provokim.

 D. Si i shihni në të ardhmen bisedimet mes Serbisë dhe pushtetit në Prishtinë mbi statusin e Kosovës. Jugu i Serbisë dhe “Lugina e Preshevës” janë të margjinalizuara edhe përkundër dëshirave tuaja për të arritur njëfarë “paketë arranxhimesh”?

Sh.K. Dialogun e mbështesim të gjithë dhe shpresojmë se do të vijë puna deri te marrëveshja juridikisht e detyrueshme, për të cilën mendojmë se do të jetë jo e plotë nëse nuk trajton edhe pozitën e shqiptarëve nga territori i Luginës së Preshevës. Gjithsecili e ka të qartë se përparim drejt BE-së nuk mund të ketë pa përmbushje të detyrimeve nga Kapitulli 35, i cili për mendimin tim, është kyçi për përparimin e Serbisë drejt antarësimit të plotë në BE. Sa më shpejt të arrihet kjo marrëveshje konkrete aq më mirë do të jetë për të gjithë ne.

D. Duket sikur Marrëveshja e Uashingtonit më shumë i shërben vetë iniciatorëve, por edhe presidentit serb?

Sh.K. Marrëveshja është hartuar në mënyrë të tillë që të gjithë të duken se janë fitimtarë në vartësi se nga cili kënd i shikoni këto nënshkrime në Shtëpinë e Bardhë. Gjithsesi nga ajo ka më shumë dobi presidenti aktual Tramp në fushatën e tij për zgjedhjet presidenciale. Por në të gjithë këtë, a thua vallë nuk ka rëndësi për pushtetin në Prishtinë fakti që Izraeli e njohu Kosovën, si dhe detyrimi i Serbisë për të ndaluar fushatën diplomatike kundër njohjeve dhe integrimit të Kosovës?

D. Cili është mendimi Juaj në lidhje me faktin se ju keni takuar shumë herë ambasadorët e BE-së, SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe, me sa di unë, asnjëherë ambasadorët e Federatës Ruse apo Kinës. Përse?

S.K. Serbia gjendet zyrtarisht në procesin e integrimit në BE. Në mënyrë që të bëhet antare me të drejta të plota ajo duhet të përmbushë detyrime që parashikon kapitulli 35. Vlerësimin ndërkombëtar për këtë kriter e jep BE-ja. Qëndrimi i BE-së është një proces nga i cili pakicat presin lëvizje pozitive. Për këtë arësye, edhe për arësyen se SHBA-të, dhe shumë vende të BE-së kanë qenë ato që kanë dhënë donacione për komunat tona, është vendosur ky bashkëpunim me këto vende dhe me përfaqësuesit e tyre diplomatikë.

D. Cilët janë planet tuaja për të ardhmen kur të diskutohet në Parlamentin e Serbisë?

Sh.K. Ne do t’i shtrojmë në mënyrë konstruktive problemet dhe do të propozojmë inicitiva, do të paraqesim  amandamente për ligjet e propozuara. Mbetet të shihet niveli i tolerancës së shumicës qeverisëse ndaj qëndrimeve tona.

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

Të fundit