Flash News

Rajoni

Kosovë-Serbi, profesori amerikan tregon se si mund të arrihet marrëveshja

Kosovë-Serbi, profesori amerikan tregon se si mund të arrihet

Marrëveshja finale për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi është prioritet, jo vetëm për dy shtetet, por edhe për ndërkombëtarët.

Profesori amerikan Alon Ben Meir ka thënë se situata mund të normalizohet vetëm nëse të dyja palët bëjnë lëshime të caktuara.

“Të gjitha çështjet konfliktuale që lidhen me pjesën veriore të Kosovës janë të zgjidhshme me kusht që të dyja palët, Kosova dhe Serbia , të bëjnë disa lëshime të nevojshme për të arritur një marrëveshje.

Por për sa kohë që ata qëndrojnë në pozicionin e tyre aktual, sigurisht që nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje”, ka shkruar Ben Meir më rrjetet sociale.

Gjithashtu ka shtuar se njohja reciproke duhet të vendoset si kusht që në nisje të negociatave. Nëse palët nuk bien dakord për njohje reciproke në fillim të bisedimeve, atëherë sipas Alon Ben Meir, kjo është humbje kohe.

“Negociatat mes Kosovës dhe Serbisë duhet të fillojnë me mirëkuptimin që në fund të procesit të bien dakord për një njohje reciproke. Ky kusht duhet të vendoset që nga fillimi i negociatave. Përndryshe, për mendimin tim, do të jetë përsëri humbje kohe”, shton Ben Meir.

Më tej ka nënvizuar se nëse SHBA-ja dhe BE-ja bëjnë presion te të dyja palët, mund të arrihet një marrëveshje.

“Nëse SHBA-ja dhe BE-ja janë të përgatitura të bëjnë presion nga njëra anë dhe të ofrojnë disa nxitje nga ana tjetër, veçanërisht në lidhje me perspektivën e anëtarësimit eventual të Kosovës dhe Serbisë në BE, mund të arrihet një marrëveshje”, thekson Ben Meir.

Të fundit