Flash News

Rajoni

Kovaçevski jep dorëheqjen nga drejtimi i LSDM-së

Kovaçevski jep dorëheqjen nga drejtimi i LSDM-së

Dimitar Kovaçevski dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM).

Para Këshillit të Përgjithshëm të LSDM-së, Kovaçevski e arsyetoi aktin e dorëheqjes me disfatën e thellë të partisë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që u mbajtën më 8 maj.

Kandidati i LSDM-së për president, Stevo Pendarovski, u mposht nga Gordana Silanovska-Davkova nga VMRO DPMNE, me një diferencë prej 300 mijë votash.

Edhe në zgjedhjet parlamentare, LSDM-ja pësoi disfatë të thellë duke arritur të marrë vetëm 18 mandate të deputetëve, kundrejt 58 sa fitoi VMRO-ja.

“Në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, LSDM-ja pësoi një disfatë, duke marrë një goditje të rëndë, jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga simpatizantët, disa nga rryma brenda partisë, si dhe disa nga anëtarë të partisë të organizuar në një tjetër subjekt politik”, tha Kovaçevski duke kërkuar edhe nga drejtuesit e tjerë të lartë të partisë që të japin dorëheqje.

Drejtimin e LSDM-së, Kovçevski e kishte marrë nga ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili dha dorëheqjen në vitin 2021 pas disfatës së thellë të kësaj partie në zgjedhjet lokale.

Ai ka qenë kryeministër i Maqedonisë së Veriut nga 16 janari i vitit 2022 deri më 25 janar të vitit 2024.

Të fundit