Flash News

Rajoni

Kroacia rikthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak

Kroacia rikthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak

Qeveria e Kroacisë ka dërguar sot për miratim dhe ndryshim të Ligjit për mbrojtjen dhe shërbimin në Forcat e Armatosura, i cili përfshin rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushic, ka zbuluar detaje të reja rreth rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak në vend.

“Shërbimi ushtarak i detyrueshëm u hoq më 1 janar 2008. Për shkak të rrethanave të ndryshuara gjeopolitike dhe të sigurisë globale, ndryshimeve gjithnjë e më të shpeshta klimatike, fatkeqësive natyrore dhe sfidave të ngjashme, qëllimi është të trajnohen kadetët në aftësi bazë ushtarake dhe aftësi për t’u përballur me situata krize”, tha Anushic.

Trajnimi do të zhvillohet në kazerma në Knin, Slunj dhe Pozhega dhe do të zgjasë dy muaj. Priten deri në pesë breza në vit, ose deri në 800 kadetë për brez.

Rekrutët do të trajnohen në përdorimin e armëve dhe aftësitë e këmbësorisë. Gjatë trajnimit, ata do të marrin një pagesë mujore prej 1,100 eurosh, dhe këto dy muaj do të përfshihen në përvojën e tyre të punës. Ligji përcakton që ata që janë të punësuar nuk mund të pushohen nga puna gjatë shërbimit ushtarak.

Që nga viti 2008, Kroacia ka pasur të pezulluar vendimin për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, por sipas planit të ri, shërbimi do të rifillojë në vitin 2026 dhe do të zgjasë dy muaj.

Në rast se një individ nuk paraqitet, autoritetet mund të lëshojnë një urdhër policor për sjelljen e tij me forcë, dhe ai do të përballet me gjoba nga 250 deri në 1320 euro. Gratë nuk do të kenë detyrim ligjor për shërbim ushtarak, por mund të marrin pjesë vullnetarisht në trajnime.

Të fundit