Flash News

Rajoni

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut voton propozimin francez, i hap rrugë integrimit në BE

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut voton propozimin francez, i hap

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka votuar sot pas disa seancave maratonë propozimin francez, duke i mundësuar mbajtjen e konferencës së përbashkët ndërqeveritare me BE-në.

Miratimi i këtij propozimi i hap rrugën fillimit të bisedimeve mes Shkupit dhe Brukselit për antarësimin e MV-së në BE.

Propozimi francez për negociatat është votuar në Parlamentin e Maqedonisë me 68 vota pro e asnjë kundër, por pa deputetët e opozitës.

Ndërkohë protestuesit jashtë Kuvendit kanë gjuajtur me vezë dhe letra tualeti duke shprehur revoltën e tyre kundër votimit të propozimit francez. 

Çfarë përmban propozimi francez?
Propozimi francez përbëhet nga shtatë pika. Pjesa që ka nxitur më së shumti debat është çështja e gjuhës dhe e kaluara historike, e cila është pjesë e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe si e tillë, kjo marrëveshje është e përfshirë dhe në propozimin francez.

Në pikën e tretë theksohet se, “Në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshilli rikujton rëndësinë e arritjes së rezultateve të prekshme dhe zbatimit me mirëbesim të marrëveshjeve dypalëshe, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin (marrëveshjen) për fqinjësi të mirë me Bullgarinë”.

Në propozimin francez gjuha maqedonase definohet si e tillë, pra gjuhë maqedonase pa sqarime plotësuese apo fusnotë, ndërkohë që apostrofohet se BE-ja do t’i notojë deklaratat e dy shteteve, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në raport me gjuhën.

Në pikën e katërt të propozimit francez, krahas detyrimit për realizimin e reformave, theksohet se, “Këshilli në këtë drejtim mirëpret synimin e Maqedonisë së Veriut të nisë dhe të arrijë si çështje me prioritet ndryshimet kushtetuese, me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e njerëzve të tjerë, si bullgarët”.

Përmes propozimit francez synohet tejkalimi i dallimeve që ka Maqedonia e Veriut me Bullgarinë dhe zhbllokimi i fillimit të bisedimeve për anëtarësim në familjen evropiane.

Të fundit