Flash News

Rajoni

Mali i Zi drejt bllokimit të mundshëm të negociatave me BE-në

Mali i Zi drejt bllokimit të mundshëm të negociatave me

Paralajmërimi se kriza politike dhe kushtetuese në Mal të Zi do të diskutohet në seancat e janarit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian dhe më pas të Këshillit Evropian, do të thotë se është kuptuar serioziteti i situatës, thotë për Radion Evropa e Lirë profesoresha Gordana Gjuroviq, ish-ministre e Integrimeve Evropiane e Malit të Zi.

“Komisioni Evropian ose një e treta e anëtarëve të BE-së mund të rekomandojnë pezullimin e negociatave me Malin e Zi, ose të propozojnë kushte për vazhdimin e tyre”, thotë ajo.

Gjatë një vizite në Mal të Zi, më 15 janar, ministrja e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, tha se ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë më 23 janar në Bruksel për masat e mundshme që mund t’i marrë blloku, nëse Mali i Zi nuk e zhbllokon Gjykatën Kushtetuese me zgjedhjen e gjyqtarëve që i mungojnë.

Gjuroviq, megjithatë, shpreson se do të arrihet marrëveshje për konstituimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Për mua, paralajmërimi i BE-së është shumë i qartë, i pritshëm dhe shumë serioz. Mali i Zi kurrë nuk ka qenë kaq i bllokuar, nuk ka qenë kurrë nën kërcënimin e një bllokade të tillë, siç po ndodh në fillim të vitit 2023, pas një dekade negociatash [për anëtarësim në BE]”, thotë Gjuroviq.

Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi është e bllokuar që nga shtatori i vitit të kaluar, kur ka mbetur me vetëm tre gjyqtarë nga shtatë sa duhet t’i ketë. Për shkak të mungesës së kuorumit, ajo nuk mund të marrë vendime për ankesat kushtetuese, të cilat lidhen edhe me proceset zgjedhore. Pa vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të formohet asnjë qeveri e re pas zgjedhjeve.

Partnerët perëndimorë dhe BE-ja, tash e sa muaj, u kërkojnë subjekteve politike në Mal të Zi të arrijnë marrëveshje për zhbllokimin e Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që vendi të ketë stabilitet institucional dhe politik.

Çfarë mund t’i bllokojë BE-ja Malit të Zi?

Sipas profesoreshës Gjuroviq, përveç ndërprerjes së procesit të negociatave, BE-ja ka një sërë mekanizmash shtesë, me të cilët mund ta kufizojë Malin e Zi.

“Mund të ngrihen disa fonde të BE-së - gjë që thuhet edhe në metodologjinë e re të negociatave. Komisioni Evropian, gjithashtu, ka një mekanizëm shumë të shpejtë dhe të fuqishëm për ndërprerjen e regjimit të liberalizimit të vizave”, thotë Gjuroviq.

E pyetur se a do të ndikojë paralajmërimi nga BE-ja në arritjen e një marrëveshjeje mes partive politike në Mal të Zi, Gjuroviq përgjigjet:

“Na është dhënë mundësia që edhe një herë të përpiqemi t’i stabilizojmë gjërat, afatet janë shumë të shkurtra, gjithçka është shumë dinamike. Do të shohim se si do të reagojnë elitat tona politike ndaj këtij qëndrimi shumë të qartë dhe specifik të Komisionit Evropian, d.m.th. BE-së”.

Pas bisedimeve me ministren Fajon, zyrtarët më të lartë shtetërorë të Malit të Zi thanë se ka vullnet për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e gjyqtarëve të munguar të Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, tha se është e domosdoshme që të shmangen ngadalësimet dhe vonesat e Malit të Zi në rrugën evropiane.

Kryeministri Dritan Abazoviq tha se përzgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese mund të përfundojë në fillim të shkurtit, ndërsa kryetarja e Kuvendit, Danijella Gjuroviq, tha se të gjithë aktorët politikë duhet të tregojnë përgjegjësi maksimale dhe të kontribuojnë që vendi të dalë nga kriza politike dhe institucionale./ REL

Të fundit