Flash News

Rajoni

Maqedonia e Veriut vendos: Uniformat e policisë do të jenë edhe në gjuhën shqipe

Maqedonia e Veriut vendos: Uniformat e policisë do të jenë edhe

Uniformat e Policisë në Maqedoninë e Veriut do të jenë edhe në gjuhën shqipe, në ato komuna ku mbi 20% e popullsisë janë shqiptare.

Lajmin e ka bërë të ditur qeveria përmes një njoftimi ku thuhet se vendimi është miratuar në bazë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

"Uniformat policore në Shkup dhe në komunat ku së paku 20 për qind e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare (gjuhën shqipe) të ndryshme nga maqedonishtja, shkruhen në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën që përdoret nga së paku 20 për qind e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut", thuhet në njoftimin e qeverisë, raporton REL.

Vendimi do të hyjë në fuqi nga dita e 8-të e botimit në Fletoren Zyrtare dhe do të fillojë zbatimin brenda një viti nga hyrja në fuqi.

Edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Sistemit Politik, Artan Grubi, njoftoi vendimin në rrjetet sociale

"Qeveria ka vendosur që uniformat e policisë në të ardhmen të kenë mbishkrim edhe në gjuhën shqipe. Edhe një detyrë tjetër u përmbush sot! Gjuha shqipe edhe në uniformat e policisë", ka shkruar Grubi në Facebook.

Ligji për përdorimin e gjuhëve, në bazë të cilit gjuha shqipe përdoret gjerësisht në komunat me shumicë shqiptare, si dhe në institucionet shtetërore, është miratuar në janar të vitit 2019.

Në institucionet qendrore, të gjitha tabelat janë në dy gjuhë, ndërsa në qeveri dhe Kuvend, ministrat shqiptarë, deputetët si dhe kryetari i Kuvendit, përdorin gjuhën shqipe. Dokumentet publikohen në dy gjuhë.

Të fundit