Flash News

Rajoni

Masakra e Srebrenicës mund të njihet nga OKB, nxehet Vuçiç e Dodik

Masakra e Srebrenicës mund të njihet nga OKB, nxehet

Masakra e Srebrenicës - më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore - mund të njihet si gjenocid nga Kombet e Bashkuara, gati 30 vjet pas.

Një propozim-rezolutë, e iniciuar nga Gjermania dhe Ruanda, kërkon që 11 korriku të njihet globalisht si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë, dhe pritet të dalë në votim para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në muajin maj.

Propozim-rezoluta, mes tjerash, bën thirrje edhe për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”.

Dokumenti - ndonëse nuk e përmend as entitetin serb të Bosnjës, Republika Sërpska, e as Serbinë - nxiti reagime të furishme në të dyja këto vende.

Udhëheqësit e tyre mohojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, pavarësisht faktit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka njohur si akt të tillë vrasjen e mbi 8.000 burrave dhe djemve myslimanë nga forcat serbe të Bosnjës në korrik të vitit 1995.

Kuvendi i Republikës Sërpska miratoi këtë muaj një raport që e mohon gjenocidin në Srebrenicë, ndërsa udhëheqësi i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, mblodhi mijëra ndjekës në Banjallukë për të kundërshtuar propozim-rezolutën e OKB-së.

“Ishte një krim në fund të luftës. Pas lodhjes, urrejtjes, vuajtjes, hakmarrjes... Por, nuk ishte gjenocid”, u tha Dodik mbështetësve.

Dodik tha, po ashtu, se nëse OKB-ja e miraton rezolutën për Srebrenicën, Bosnje e Hercegovina do të ndahet. Ai tha se do të ndërmarrë edhe disa “masa të posaçme”, por nuk specifikoi më shumë.

Reagimi i Shteteve të Bashkuara ishte i menjëhershëm. Ambasada amerikane në Sarajevë tha se nuk do të tolerojë asnjë përpjekje për shpërbërjen e Bosnjës.

“Millorad Dodik e ka gabim nëse mendon se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë mënjanë, derisa ai ndjek agjendën e tij secesioniste dhe e shtyn Bosnje e Hercegovinën drejt konfliktit. Republika Sërpska është entitet brenda shtetit të Bosnje e Hercegovinës”, shkroi Ambasada amerikane në Sarajevë në platformën X.

Kundër rezolutës për Srebrenicën u angazhua në mënyrë aktive edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sipas të cilit, miratimi i saj do të shkaktonte pasoja “në stabilitetin dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, në të drejtën publike ndërkombëtare, por edhe në vetë besueshmërinë e OKB-së si garantuese e paqes dhe rendit juridik në botë”.

Në përpjekje për ta parandaluar votimin pro, Vuçiq tha javën e kaluar se ka biseduar me zyrtarë të më shumë se 80 vendeve dhe se do ta vazhdojë “luftën e vështirë”.

Zharko Koraq, profesor në pension i Universitetit të Beogradit, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se Vuçiq e përjeton si “shuplakë” kundër tij rezolutën për Srebrenicën.

Ai thotë se regjimi i tij i ka normalizuar njerëzit e dënuar për krime lufte, të cilët, vazhdimisht, janë mysafirë nëpër studiot televizive.

“Pushteti në Serbi është i tronditur, sepse bota po tregon se nuk e ka harruar Srebrenicën dhe se sjellja e Serbisë është e turpshme. Me retorikën që po bën, Vuçiq mbron veten e tij dhe politikën ku ka bërë pjesë”, thotë Koraq.

Në vitet ’90, Vuçiq shërbeu një kohë si ministër i regjimit të Sllobodan Millosheviqit, të cilin Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë e akuzoi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Vuçiq ishte edhe pjesë e Partisë Radikale serbe, e cila shprehte hapur ambicie për një “Serbi të madhe”, me tokat e vendeve fqinje.

“Ju vrisni një serb dhe ne do t’i vrasim 100 myslimanë”, ishte thënia e tij famëkeqe, disa ditë pas masakrës së Srebrenicës./ REL

Të fundit