Flash News

Bota

Çmimet e naftës pësojnë rënie të ndjeshme pas armëpushimit mes Iranit dhe Izraelit

Çmimet e naftës pësojnë rënie të ndjeshme pas

Çmimet e naftës vazhduan rënien gjatë orëve të paradites së së martës në tregjet evropiane, pasi lajmet për një marrëveshje armëpushimi mes Iranit dhe Izraelit qetësuan shqetësimet e investitorëve për ndërprerje të mundshme të furnizimeve.

Sipas Reuters, nafta amerikane e papërpunuar West Texas Intermediate (WTI) ra me 3.7%, duke u tregtuar në 65.9 dollarë për fuçi.

Ndërkohë, nafta Brent, referenca globale për çmimet, humbi 3.8%, duke zbritur në 68.8 dollarë për fuçi.

Lajmi për armëpushimin u bë i ditur gjatë natës nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili e përshkroi marrëveshjen si një “armëpushim të plotë dhe të gjithanshëm” mes Izraelit dhe Iranit, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Ai më vonë konfirmoi se armëpushimi kishte hyrë tashmë në fuqi. Edhe mediat iraniane dhe ato izraelite raportuan për fillimin e armëpushimit, megjithatë detajet konkrete të marrëveshjes mbeten ende të paqarta.

Vetëm një ditë më parë, të hënën, çmimet e naftës kishin pësuar një rënie të mprehtë mbi 7%, pasi Irani ndërmori sulme të kufizuara me raketa ndaj bazave amerikane në Katar.

Nafta amerikane WTI u ul me 7.2%, duke u mbyllur në 68.51 dollarë për fuçi, rënia më e madhe ditore që nga fillimi i prillit dhe një nga ditët më të këqija në tre vitet e fundit.

Edhe Brent pati një rënie të ngjashme, duke u mbyllur në 71.48 dollarë për fuçi, ulja më e madhe që nga gushti 2022, sipas agjencisë Reuters.

Të fundit