Flash News

Rajoni

Miqtë evropianë të Kremlinit dhe loja në prapaskenë e ‘kukullarit’ serb Aleksandër Vuçiç

Miqtë evropianë të Kremlinit dhe loja në prapaskenë e

Revista gjermane SPIEGEL i ka kushtuar një artikull pozicionit të Serbisë dhe presidentit të saj Aleksandër Vuçiç, në mesin e konfliktit Rus-Ukrainë.

Teksa Vuçiç votoi mbështetjen e integritetit territorial të Ukrainës, populli serb marshoi disa ditë më parë në rrugët e Beogradit me flamurin rus të shpalosur duke mbështetur pushtimin e Ukrainës nga Vladimir Putin.

Demonstratat në Beograd ishin në kontradiktë të asaj që presidenti serb deklaroi për Ukrainën. Në kuadrin e këtij qëndrimi, SPIEGEL ka bërë një analizë duke shtruar pyetjen “çfarë loje luan këtu presidenti serb Aleksandar Vuçiç?”

"Sikur të kishte një çmim për një qytet në Evropë, që mund të ofrojë këto ditë spektaklin publik më bizarr, Beogradi do të ishte me siguri në krye të listës. Së bashku me flamujt rusë, portretet e Putinit dhe kryqe druri, mijëra vetë marshuan të premten (4 mars) nëpër kryeqytetin serb për të shprehur solidaritetin me krerët e Kremlinit dhe mbështetjen për luftën e tyre agresive kundër Ukrainës", shkruan autori i artikullit, Walter Mayr.

Mayr e quan presidentin Vuçiç, një ‘kukullar të talentuar që tërheq fijet nga prapaskena’. Autori rikujton lidhjet e afërta të Serbisë me Rusinë dhe popullin e Lindjes, duke theksuar se ‘vëllazëria’ po vihet tani në provë.

“Nga njëra anë ai është për integritetin territorial të Ukrainës, por në të njëjtën kohë nuk dëshiron t'u bashkohet sanksioneve të BE kundër Rusisë. Ai nuk e kritikon qartë luftën e dukshme agresive, duke iu referuar "marrëdhënieve të posaçme të vendit të tij me Rusinë”, shkruhet në artikull.

Autori kujton se në fillimet e karrierës së tij politike ai ishte nxënës i kriminelëve të luftës si Radovan Karaxhiç, Vojisllav Sheshelj dhe Sllobodan Millosheviç.

"Për vite me rradhë Vuçiç u mbështet nga kancelarja gjermane Angela Merkel, Ai prezantohet sot si një ndërmjetës, si politikan që ekuilibron me mjeshtëri mes të fuqishmëve në Bruksel, Kremlin dhe Pekin. Por në të njëjtën kohë ai nuk i përgjigjet pyetjes, se në cilën nga këto botë ai dhe populli serb ndihen si në shtëpinë e vet", thuhet në artikull.

Walter Mayr mendon se "Që prej shpalljes së shpejtë të pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Serbia ka një rol kyç në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme paqësore për Ballkanin Perëndimor. Vuçiç e di këtë dhe e përdor me shumë sukses. Ai forcon gjithnjë e më shumë sundimin e tij autoritar në Serbi, ndërsa në të njëjtën kohë në skenën ndërkombëtare paraqitet si ndërmjetës i ndershëm në lidhje me Kosovën".

Sipas autorit, kjo "ecje diplomatike përbën gjithnjë e më shumë një kërcënim serioz për sigurinë në kontinent gjë që shihet edhe në Bosnje- Hercegovinë. Me mbështetjen ruse dhe serbe loja gjithnjë e më serioze me zjarrin e Milorad Dodikut po kërcënon të shndërrohet në një zjarr të vërtetë. Vazhdimisht përmendet mundësia e shkëputjes së Republikës Srpska nga Bosnjë-Hercegovina, gjë që do të rrezikonte "të gjithë rendin postjugosllav të pasluftës, të vendosur me mundim".

Të fundit