Flash News

Rajoni

Osmani në Sofje: Provokatorët nuk do të lejohen të hyjnë në Maqedoni të Veriut

Osmani në Sofje: Provokatorët nuk do të lejohen të

 

Të gjithë ata që provokojnë marrëdhëniet ndërshtetërore apo mohojnë identitetin maqedonas nuk do të lejohen të hyjnë në Maqedoninë e Veriut. Kështu ka deklaruar në Sofje ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, pasi vizitoi në spital një përfaqësues të qendrës bullgare “Car Boris Treti” nga Ohri.

Hristijan Pendikov ishte sulmuar fizikisht të enjten, më 19 janar. Sulmi ndodhi para zyrave të këtij klubi në Ohër, ndërkohë që hetimet ende nuk kanë përcaktuar nëse ai është sulmuar për shkak të mosmarrëveshjeve personale apo për shkak të shtetësisë së tij bullgare.

Para mediave bullgare, Osmani tha se bullgarët në Maqedoninë e Veriut do të kenë të njëjtat të drejta si të gjitha komunitetet e tjera, por gjithashtu porositi politikanët, si eurodeputetin Angel Xhambaskit dhe Kostadin Kostadinovi të partisë “Rimëkëmbja”, se nuk kanë vend në Maqedoni të Veriut, ashtu sikur nuk ka vend edhe për politikanët tjerë bullgarë, që sipas tij, fyejnë popullin maqedonas.

“Ne nuk do të lejojmë mohimin e komunitetit bullgar në Maqedoni të Veriut, por nuk do të lejojmë as mohimin e popullit maqedonas, prandaj dua të dërgoj një mesazh që provokimet të ndalen. Pra, çdo ardhje në Maqedoni të Veriut me qëllim të fyerjes së popullit maqedonas, mohimit të popullit maqedonas, do ta trajtojmë seriozisht dhe kjo do të jetë ardhja e fundit në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Osmani.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Nikolaj Milkov, kërkoi që të ndalet gjuha e urrejtjes nga pala maqedonase.

“Dhuna nuk ka vend në Bashkimin Evropian”, tha Milkov, pa specifikuar nëse incidenti i fundit do të nënkuptojë veto të re bullgare./ REL

Të fundit