Flash News

Rajoni

Parlamenti bullgar vendos sot për fatin e qeverisë Petkov

Parlamenti bullgar vendos sot për fatin e qeverisë Petkov

Vetëm gjashtë muaj pas marrjes së detyrës, qeveria e koalicionit bullgar e kryesuar nga Kirill Petkov përballet të mërkurën, më 22 qershor me një mocion mosbesimi, duke shkaktuar paqëndrueshmëri të re politike në shtetin anëtar më të varfër të BE-së.

Mocioni i mosbesimit u ngrit nga partitë opozitare mbi “dështimin në politikën financiare dhe ekonomike të kabinetit aktual”.

Mbështetje për mocionin e mosbesimit deri më tani kanë shprehur edhe partitë e tjera opozitare – partia e turqve etnikë dhe myslimanëve të tjerë në Bullgari Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë (DPS) dhe partia nacionaliste “Vëzrazhdane”, si dhe partia e Sllavi Trifonovit “Ka një popull të tillë” (ITN), e cila u shkëput nga koalicioni në pushtet.

Votimi pritet pas orës 19:00 me orën lokale. Mocioni ka nevojë për 121 vota për të kaluar në parlament. Aktualisht, koalicioni qeverisës ka mbështetjen e vetëm 109-të deputetëve nga 240-të ligjvënës në parlament.

Gjashtë deputetë nga grupimi ITN pritet gjithashtu të mbështesin qeverinë, por shpresa e vetme e saj për të mbajtur pushtetin varet nga mundësia që më shumë deputetë të ITN-së të votojnë kundër rrëzimit të qeverisë në minutën e fundit.

Nëse mocioni do të ketë sukses, ai do të jetë votimi i parë i mosbesimit në historinë demokratike të Bullgarisë dhe pothuajse me siguri do të çojë në zgjedhje të reja në vendin me 6.5 milionë banorë./ REL

 

Të fundit