Flash News

Rajoni

Rënia e qeverisë së Malit të Zi, Dritan Abazoviç propozohet për kryeministër të ri

Rënia e qeverisë së Malit të Zi, Dritan Abazoviç

Kuvendi në Podgoricë votoi mbrëmë mocionin e mosbesimit për qeverinë 42 të Malit të Zi, kryeministër i së cilës ishte Zdravko Krivokapiç.

Votimi i mocionit i hap rrugë procesit të negociatave për formimin e qeverisë së re. Mocioni i mosbesimit u iniciua nga Levizja URA, udhëheqës i së cilës është zëvendëskryeministri i deritashëm, Dritan Abazoviç. 

Ai ka deklaruar më herët se pas rënies së qeverisë, do të fillojnë bisedimet për formimin e pushtetit të ri ekzekutiv dhe se janë disa opsione, duke përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme.

Ndërkohë, kreu i grupit të deputetëve “Bardh e Zi”, Millosh Konatar, tha se personalisht beson se kryeministër i ri duhet të jetë lideri i lëvizjes URA, Dritran Abazoviç. Ai mbrëmë në Kuvend tha se bisedimet do të nisin sot.

Unë besoj se do të kemi një qeveri të re. Shumë shpejt do të kemi një qeveri të re, e cila do të luftojë korrupsionin. Nëse më pyetni mua personalisht, normalisht do të dëshiroja që kryeministër të jetë Dritan Abazoviç”, tha Konatar, raporton rtcg.

 Për rrëzimin  e qeverisë votuan 43 deputetë, ndërsa kundër ishin 11. Gjithsej  votuan 54 deputetë. Pro votuan të gjitha partitë opozitare, të udhëhequra nga Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit dhe partitë e koalicionit të deritashëm, Lëvizja Qytetare URA dhe Civis, ndërkaq deputetët nga Fronti Demokratik, ata të Lëvizjes për ndryshime dhe deputetët e Partisë Socialiste popullore nuk ishin të pranishëm gjatë votimit.

 

Të fundit