Flash News

Rajoni

Roli i Francës në Ballkan: Inovacion në “sovraniteti e ndarë”

Roli i Francës në Ballkan: Inovacion në “sovraniteti e

Dragan Biseniç/ gazeta Danas

Megjithëse Franca gëzon reputacionin e aktorit indiferent në Europën Lindore, javën e parë të muajit shkurt, presidenti francez e filloi me ditët e Europës Lindore. Me 1 shkurt takoi presidentin  e Serbisë Aleksandër Vuçiçin, pas kësaj priti kryeministrin e Sllovakisë Igor Matoviçin, më tej presidenten e Moldavisë Maja Sandu. E gjitha kjo të bën të mendosh për implementimin e strategjisë së Francës mbi forcimin e pranisë së saj në Europën Lindore dhe në Ballkan.

Në mesin e vitit 2019, pas vizitës së planifikuar më parë, por të shtyrë, të presidentit francez në Serbi, Ministria e punëve të jashtme franceze miratoi një qëndrim të ri në lidhje me marrëdhëniet e saj me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Sipas këtij qëndrimi planifikohej forcimi i bashkëpunimit në katër fusha: ekonomia, siguria, sistem i juridik dhe mbrojtja. E gjitha kjo me qëllim konvergjimin e rajonit me Europën. Nënvizohej, me Europën dhe jo Bashkimin Eropian, që duket se nuk është lëshim i vogël terminologjik, gjë e cila mund të konkludohet edhe mbi bazën e qëndrimit të përgjithshëm francez ndaj zgjerimit në vitet 2020 dhe 2021.

Gjatë bisedimeve për zgjerimin në vitin 2004, dhe bisedimet e mëvonshme mbi partneritetin lindor në vitin 2009, presidentët francezë Zhak Sirak dhe Nikolla Sarkozi, theksuan dimnesionin mesdhetar të Europës. Që të dy shprehën haptazi skepticizmin ndaj aftësive të shteteve të reja antare për të kontribuar në ndërtimin e Europës. Si rezultat i kësaj, ndikimi francez në Europën Lindore mbeti modest.

Gjermania është natyrisht subjekti kryesor në rajon, ndërsa në Lindje Polonia po rrit fuqinë e saj rajonale nëpërmjet NATO-s dhe Grupit të Visegradit. Madje edhe disa vende shumë më të vogla ia kanë kaluar Francës në disa fusha të specializuara, si puna e Estonisë në administratën digjitale, Austrisë në çështjet ekonomike dhe Rumanisë në Detin e Zi.

Mungesa e interesimit francez për Eropën Lindore është shpjeguar me qëndrimin francez tradicionalisht prorus. 

Makroni vazhdoi drejtimin dhe linjën e paraardhësve të tij, e kësisoj arriti ta ndryshojë tërë politikën e Bashkimit Europian në lidhje me pranimin e antarëve të rinj, ose më mirë të themi të shteteve të Ballkanit Perëndimor në këtë moment, e ndoshta në perspektivë edhe të shteteve të tjera të ish BRSS-së.

Këtu shtrohet pyetja nëse Franca është e dënuar të jetë fuqi e dorës së dytë në rajon? Natyrisht që jo.

Franca është fuqi udhëheqëse ndër shtetet europiane në fushën e mbrojtjes, dhe një faktor politik me rëndësi në vendet që kanë konflikte territoriale: është antare e grupit të OSBE-së për Nagorni Karabakun, ka kontribuar me ndërmjetësim në konfliktin ruso-gjeorgjian në vitin 2008, ka propozuar formatin e Normandisë për Ukrainën Lindore dhe riformulimin e angazhimit të NATO-s në shtetet Balltike. Është e qartë që, nëse Franca dëshiron ta rinovojë statusin e saj në Europë,  ajo duhet të tregojë se është e gatshme të luajë një rol të caktuar në fushën e sigurisë dhe në çështjet e tjera të shteteve të Europës Lindore dhe të Ballkanit Perëndimor.

Ndërkohë Franca është shpesh figura e pranueshme për refuzimin europian ndaj zgjerimit, sepse ajo shpreh në një mënyrë mjaft dashamirëse të vërteta të pakëndshme.

Në sajë të programit të zgjerimit të vitit 2004 dhe të Partneritetit Lindor të vitit 2009, Gjermania ka përmbushur plotësisht strategjinë Mitteleurope dhe është bërë faktori kryesor ekonomik. Në nivelin politik Gjermania është çliruar nga ngarkesa e saj historike e mbështetjes për zgjerimin. Gjermania dhe Franca ndajnë sot të njëjtën përmbajtje ndaj zgjerimit të ri dhe të rëndësishëm që fillimisht përfshin Ballkanin Perëndimor.

Tërheqja e Anxhela Merkelit nuk mund të konsiderohet lajm i mirë për Makronin sepse Franca ka nevojë për partnerin e fortë gjerman në të gjithë programet europiane. Lideri i sapozgjedhur i demokristianëve gjermanë Armin Lashet, do të ishte në njëfarë mënyre kompensim për largimin e Merkelit nëse ky zgjidhet kancelar, meqenëse ai te aktivizmi europian i Makronit sheh një shembull për Gjermaninë, ndërsa si kryeministër i Rajnit Verior që gjeografikisht kufizon me Francën, ka mjaft eksperiencë dhe dije mbi rëndësinë e aleancës franko-gjermane. Të gjitha këto janë çështje që Franca mund t’i demonstrojë edhe në Ballkan, ku Serbia përbën një territor me rëndësi edhe pa ndikimin e rëndësishëm francez.

Gjithsesi, programi i takimit të 11-të mes presidentit francez dhe presidentit serb u përgjigjet këtyre synimeve të Francës sepse  flet për Kosovën, integrimin europin dhe bashkëpunimin ekonomik.

Iniciativa franceze për Kosovën nuk është e re. Ajo është vazhdim i samitit që u mbajt në muajin korrik të vitit të kaluar me iniciativën e Gjermanisë dhe Francës.

Për rolin francez në organizimin e vazhdimit të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, presidenti francez foli edhe në samitin mbi Ballkanin Perëndimor që u mbajt në muajin nëntor të vitit 2020. Makroni theksoi se “ka rëndësi thelbësore mbajtja dhe forcimi i dialogut me Ballkanin Perëndimor i cili gjerografikisht, kulturalisht dhe historikisht i përket Europës”. Duke shpjeguar mënyrën sesi Franca mbështet “perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor”, Makroni numëroi disa gjëra: “vendimin e marsit për të hapur bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë, rinovimin e korrikut të bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës”, gjë për të cilën kontribuoi Franca. “Mosqënia dakord mes Serbisë dhe Kosovës është çështje e sigurisë europiane dhe, për këtë, ka rëndësi themelore që BE-ja të bëjë përpjekje ndërmjetësimi mes dy palëve në mënyrë që të zgjidhet kjo çështje”. Në mënyrë thelbësore kjo ishte në njëfarë mënyre edhe përgjigje ndaj iniciativës së presidentit amerikan Tramp dhe nënshkrimit si pasojë e saj të Marrëveshjes së Uashingtonit, gjë që presidenti francez as që e përmendi fare- sikur kjo të mos ekzistonte!

Duke theksuar rëndësinë e Procesit të Berlinit, paralajmëroi edhe planin ekonomik dhe investues për Ballkanin në shumën prej nëntë miliard euro, gjë që është kontributi më i madh për zhvillimin e rajonit. Mbi këtë bazë theksoi se pret që vendet e Ballkanit Perëndimor të japin kontributin e  tyre në tri fusha: forcimin e bashkëpunimit mes tyre, përshpejtimin e reformave strukturore me “fokus në reformat fondamentale” dhe mbështetjen në luftën kundër terrorizmit.

Në konferencën për shtyp të të dy presidentëve, Makroni tha se “përshëndet rreziqet” që ka ndërmarrë disa herë presidenti Vuçiç “për të propozuar disa zgjidhje që janë inovative” dhe shtoi se mund të llogarisë te “dera e tij e hapur” për të arritur përparim në këtë “rrugë të normalizimit të marrëdhënieve, por edhe të rrugës që synon të shpjerë drejt stabilitetit dhe paqes në rajon dhe e di se ky është qëllimi juaj”.

Para takimit me presidentin francez, presidenti i Serbisë tha se “duhet të bëjmë gjithçka mundemi që të arrijmë një zgjidhje kompromisi të pranueshme për të dyja palët”, gjë që “deri tani nuk ka qenë e mundur” dhe paralajmëroi se është “përherë i gatshëm ta dëgjojë presidentin Makron dhe idetë e tij inovative për të parë se çfarë mund të bëjmë që të mund t’i afrohemi zgjidhjes së mundshme”.

Në këtë mënyrë, zgjidhjet inovative dhe idetë inovative shfaqen në deklaratat e të dy shefave të shteteve. Këto vërejtje tërhoqën interesim në Europë, por nuk ishte e mundur të kuptohet nëse ishte fjala për ide të përbashkëta, për ide të përpunuara më parë apo ishte fjala vetëm për shkëmbim idesh. Presidenti francez mbështeti përsëri të dërguarin europian Mirosllav Lajçak.

Pa marrë parasysh faktin se Uashingtoni në konferencën për shtyp nuk u përmend fare dhe se atë ditë, me 1 shkurt,  përmbush një prej pikave të Marrëveshjes së Uashingtonit, vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Izraelit dhe Kosovës, është e qartë që Franca nuk do të dalë jashtë politikës së miratuar me Uashingtonin dhe me antarët e tjerë të Bashkimit Europian, para së gjithash me Gjermaninë. Por gjithsesi, kjo nuk e pengon atë që të ketë idetë e saj që mund të gjenden në tryezën e bisedimeve, gjë që është në përputhje me reputacionin e saj si lider transformues, siç e quajti presidenti i Forumit botërtor ekonomik Klaus Shvab, gjatë pjesëmarrjes së javës së kaluar të Makronit në këtë forum.

Gjithhsesi, ajo që kemi mundur të dëgjojmë si një informacion të pavërtetuar në qarqet diplomatike franceze, novacioni i mundshëm ka të bëjë me një zbatim të caktuar të konceptit të sovranitetit të ndarë në lidhje me disa çështje në Kosovë. Shembull historik për këtë mund të ishte drejtimi i Triestes i vitit 1945. Kjo mund të ishte në gjurmët e zgjidhjes për liqenin e Gazivodës (Ujmanit) nga Marrëveshja e Uashingtonit, ku përfshihet edhe një palë e tretë, ose më mirë themi një kompani amerikane që merr pjesë në projektin tërësor. 

Për palën shqiptare kjo nuk do të ishte e diskutueshme, sepse për atë njohja, që do të përfshinte edhe një karrike në OKB, është tejet më e rëndësishme sesa sovraniteti i plotë dhe i papërlyer. Pala serbe do të mund të llogarisë në ndikimin e saj në zona të caktuara, por gjithsesi do të jetë e detyruar të pranojë karrikën në OKB për Kosovën.

Në tërësi ky është një variacion i idesë së dy Gjermanive, gjë e cila sipas kushteve të tanishme nuk është aspak e lehtë.

Presidenti amerikan Bajden dhe kancelarja gjermane Anxhela Merkel e kanë përfshirë Ballkanin Perëndimor në një prej gjashtë prioriteteve, krahas Iranit, Afganistanit, Kinës, Rusisë dhe Ukrainës. Në bisedën telefonike me presidentin  amerikan, Makroni përmendi Libanin, gjë që flet për faktin se Franca mund të bëjë një devijim nga ajo e cila po merren vesh pjesmarrës të tjerë të këtij procesi në palën perëndimore, kjo mund të ngjasë edhe kur të bëhet fjalë për bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës. Konstatohet lehtë se Makroni do të mbështetet në qëndrimin kooperues. Kështu, në fjalën që mbajti me 4 shkurt me rastin e hapjes së Qendrës Europiane të Këshillit të Atlantikut, ai vuri në dukje kuadrin e pritshëm të bashkëpunimit me SHBA-të, ku në vend të parë vuri “rinovimin dhe ruajtjen e kuadrit multilateral” në raportet mes SHBA-ve dhe BE-së, “pas dy viteve të thyerjes së tij”. Makroni pret ”forcimin dhe ngritjen e sovranitetit europian” në ndryshim nga synimet e deritanishme dhe “theksimit të sovranitetit në nivel nacional”. Krahas rajoneve të tjera të krizës, Makroni vuri në dukje edhe Sahelin, Lindjen e Afërme dhe Bririn e Afrikës si rajone me rëndësi për Francën. Ai përdori përsëri inovativitetin kur foli për ndërtimin e “partneritetit të ri në botën globale”.

Kur bëhet fjalë për NATO-n, Makroni deklaroi se po vijnë muaj vendimtarë në të cilët duhet të shpjegohet roli i NATO- dhe përgjigje për pyetjet se kush është armiku dhe si janë raportet me Kinën? Ai e përcaktoi Kinën njëkohësisht si partner, si rival në garë, gjë që është larg definicionit të armikut strategjik. Përsëriti se për një botë të qetë nevojitet drejtim i përbashkët.

Pas vetos që në vitin 2019 vuri presidenti francez për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë, e cila i solli Francës një sërë kritikash dhe reputacion negativ në rajon, ajo bëri shumë shpejt lëshime dhe pranoi të ndryshohet vendimi.

Me sa duket Franca tani po këmbëngul të rifitojë imazhin si mik dhe aleat.

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

Të fundit