Flash News

Rajoni

Serbia lë “dyert hapur” për rublën ruse, avionët fluturojnë pa pengesa drejt Moskës

Serbia lë “dyert hapur” për rublën ruse, avionët

“Për mua këto ditë janë si një makth”, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq, duke përshkruar “baraspeshimin” e Beogradit mes Lindjes dhe Perëndimit, në një kohë kur Moskës po i vendosen sanksione për pushtimin e Ukrainës.

Përderisa Perëndimi dita-ditës po forcon sanksionet kundër Rusisë, më 28 shkurt, Brukseli i bëri sërish thirrje Serbisë që të harmonizohet me politikën e jashtme evropiane dhe të vendosë sanksione ndaj Moskës, gjë që Beogradi deri më tani ka refuzuar.

Më 28 shkurt, Vuçiq deklaroi se merr mbi vete “të gjitha kritikat, të gjitha vërejtjet, të gjitha presionet” nga zyrtarët evropianë dhe botërorë, për shkak se Serbia nuk po e sanksionon Rusinë.

“Për aq kohë dhe si do që ta ruajmë pozitën e vendit tonë”, tha Vuçiq.

Në konkluzionet e prezantuar nga Qeveria e Serbisë, më 27 shkurt, thuhet se “interesi jetik politik dhe ekonomik i Serbisë” nuk është të vendosë sanksione ndaj Rusisë në këtë moment – dhe as ndaj cilitdo shtet, zyrtarëve apo kompanive të tij.

Sanksionet perëndimore “më të ashpra deri më tani" kundër Rusisë përfshijnë sektorin bankar dhe financiar, mediat, transportin ajror, energjinë, ushtrinë dhe teknologjinë e lartë, kontrollet e eksportit për produkte të caktuara dhe një “listë të zezë” të zyrtarëve dhe kompanive, si dhe individëve rusë që ndihmojnë Kremlini.

Si të shkohet nga Moska në Beograd?

Qiejt e Bashkimit Evropian, por edhe disa vende të Ballkanit Perëndimor – Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, janë të mbyllura për linjat ajrore ruse, si dhe për avionët privatë rusë.

Siç ka sqaruar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Layen, më 27 shkurt, hapësira ajrore e BE-së është e ndaluar për avionët në pronësi ruse, të regjistruar në Rusi dhe nën kontrollin rus, “përfshirë avionët privatë të oligarkëve”.

Ndonëse Serbia nuk e ka mbyllur hapësirën e saj ajrore për avionët rusë, trafiku ajror pengohet nga fakti se Serbia është e rrethuar nga vende që kanë ndaluar fluturimin e avionëve rusë. Kështu që, dy fluturimet e kompanisë shtetërore ruse Aeroflot, për 28 shkurt, Beograd-Moskë dhe Moskë-Beograd, sipas aeroportit Nikolla Teslla të Beogradit, janë anuluar.

Nga ana tjetër, kompania ajrore Air Serbia mund të fluturojë pa pengesa përmes vendeve evropiane për në Moskë./ REL

Të fundit