Flash News

Rajoni

Serbia paralajmëron hapjen e një shtabi policor në Preshevë

Serbia paralajmëron hapjen e një shtabi policor në Preshevë

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Bratisllav Gashiç, njoftoi se në ditët në vijim do të hapet një shtab policor në Preshevë, në jug të Serbisë, dhe se do të intensifikohen veprimet në zonën kufitare me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.

Presheva është komunë e banuar me shumicë shqiptare dhe së bashku me Bujanocin dhe Medvegjën, ku jetojnë po ashtu shqiptarë, njihen si Lugina e Preshevës.

Gashiç deklaroi se policia "po bën gjithçka për të frenuar migrimin e parregullt dhe për të dekurajuar dhe arrestuar të gjithë trafikuesit e njerëzve", njoftoi Ministria e Brendshme serbe më 30 nëntor.

"Anëtarët e MPB-së do të marrin të gjitha masat për të parandaluar kalimin e parregullt të emigrantëve në vendin tonë. Ne do të qëndrojmë në këtë zonë, por edhe në veri të vendit, derisa ta zgjidhim plotësisht këtë problem", tha Gashiç në qendrën rajonale të policisë kufitare në drejtim të Bullgarisë.

Policia serbe në fund të tetorit të vitit 2023 i intensifikoi veprimet pas të shtënave në qytetin Horgosh në kufi me Hungarinë, ku mbetën të vrarë tre emigrantë dhe u plagos një tjetër./ REL

Të fundit