Flash News

Rajoni

“Shqiptarët nuk janë provokim, spila në xhaketën e deputetit irriton kryeministrin, debat në Kuvendin e RMV

“Shqiptarët nuk janë provokim, spila në xhaketën e

Një debat i fortë është regjistruar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe deputetit të Aleanca për Shqiptarët, Rijad Shaqiri, për shkak të një spine me flamurin shqiptar të vendosur në jakën e xhaketës së këtij të fundit.

Kryeministri ka shprehur pakënaqësi që deputeti nuk mbante simbolin e Maqedonisë së Veriut në foltoren e Parlamentit, duke i kujtuar se paguhet nga ky shtet.

Nga ana e tij, Shaqiri e cilësoi flamurin shqiptar si “simbol të identitetit dhe dinjitetit tonë”, duke theksuar se reagimi i kryeministrit është i papranueshëm.

“Gjatë debatit të sotëm në seancën parlamentare, Kryeministrin e ‘provokoi’ flamuri ynë kombëtar që e mbaja në sakon time – simboli i identitetit dhe dinjitetit tonë,” shkroi ai, duke publikuar edhe videon nga seanca.

Deputeti shqiptar shtoi se ndërkohë që simboli kombëtar trajtohet si problem, fenomene të tjera shqetësuese nuk marrin të njëjtën vëmendje.

“Nuk e pengon urrejtja patologjike që shfaqet ndaj shqiptarëve në terrenet sportive. Nuk e pengon heshtja institucionale përballë thirrjeve dhe koreve me përmbajtje albanofobe. Dhe mbi të gjitha, nuk dha asnjë përgjigje konkrete se si 5 ton kanabis kaluan kufirin e Maqedonisë së Veriut pa u vërejtur,” deklaroi Shaqiri.

Ai theksoi se kur simboli kombëtar trajtohet si problem, ndërsa krimi dhe gjuha e urrejtjes relativizohen, “kemi një devijim serioz të prioriteteve shtetërore”.

“Shqiptarët nuk janë provokim, janë popull shtetformues dhe kërkojnë përgjegjësi, jo arsyetime,” përfundoi deputeti.

Të fundit