Flash News

Rajoni

Të mbyllur dhe pa internet, shqiptari nga Kosova rrëfen situatën në Kazakistan

Të mbyllur dhe pa internet, shqiptari nga Kosova rrëfen situatën

Rritja e papritur e çmimit të gazit të lëngshëm solli një valë protestash në Kazakistan. Dhjetëra qytetarë vërshuan në rrugë për t’iu bashkuar protestës, e cila agravoi deri në ‘eliminimin’ e protestuesve.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, një i ri kosovar që jeton në Kazakistan ka rrëfyer situatën aktuale. I riu në fjalë, jeton në kryeqytet Nur Sulltan, dhe deklaron se gjendja aty është më e qetë krahasuar me qytetet e tjera. Me urdhër të autoriteteve, i riu tregon se të gjitha janë mbyllur në banesa.

“Na kanë mbyllur, nuk mund të dalim. As te dera e as në shitore nuk mund të dalim. Normalisht që po frikësohemi sepse ne këtu nuk kemi as Ambasadë. Sot (kompania) na i kanë sjellë pasaportat dhe nuk na kanë dhënë ndonjë lajm se çfarë do të bëjmë, vetëm na kanë thënë ‘nesër e keni pushim’”, tregon ai për Radion Evropa e Lirë.

Ndërprerja masive e internetit dhe valëve telefonike ka shkaktuar shqetësim jo vetëm për qytetarët në Kazakistan por edhe familjarët e tyre që nuk jetojnë aty, pasi në kushte të tilla e kanë të pamundur që të lidhen apo të mbajnë komunikim.

“Familjarët janë shqetësuar se dy ditë nuk kemi pasur internet, sepse e ka ndalur Kazakistani, do të thotë nuk kemi pasur si t’i lajmërojmë”, thotë ai. 

Shpërthimi i destabilitetit po shkakton shqetësim të madh në dy fqinjët e fuqishëm të Kazakistanit: Rusinë dhe Kinën. Vendi shet shumicën e eksporteve të naftës në Kinë dhe është një aleat kryesor strategjik i Moskës.

Presidenti Kassym-Jomart Tokayev fillimisht kërkoi të qetësonte turmat duke shkarkuar të gjithë qeverinë të mërkurën.

Të fundit