Flash News

Rajoni

Tensionet në veri, Lajçak dhe Escobar vizitojnë Prishtinën e Beogradin

Tensionet në veri, Lajçak dhe Escobar vizitojnë Prishtinën

I dërguari amerikan, Gabriel Escobar dhe ai evropian, Miroslav Lajçak, do të udhëtojnë sot në Beograd, ndërsa nesër do të vizitojnë Prishtinën.

Qëllimi i vizitës së tyre është nxitja e palëve për t’i dhënë fund tensioneve në veri të Kosovës dhe për të vijuar dialogun mes tyre. Thirrjet kanë qenë të vazhdueshme, si nga Perëndimi edhe nga SHBA-të, për të qetësuar situatën në 3 komunat e veriut: Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Serbët po protestojnë prej më shumë se një javë duke kërkuar largimin e kryetarëve të sapozgjedhur dhe njësive special të Policisë së Kosovës.

Godinat e komunave janë marrë nën mbrojtje nga KFOR i NATO-s. 30 ushtarë mbetën të plagosur një javë më parë pas përdorimin të armëve dhe sendeve të forta nga protestuesit serbë.

SHBA dhe BE i kërkojnë Kosovës të largojë njësitë e posaçme të policisë nga ndërtesat komunale, zhvendosjen e përkohshme e kryetarëve të rinj në zyra të tjera alternative dhe organizimin sa më të shpejtë të zgjedhjeve të reja.

Nga Serbia ndërkaq kërkohet tërheqja e forcave të armatosura serbe të stacionuara afër kufirit me Kosovën dhe ulja e gjendjes së gatishmërisë, ruajtja e qetësisë së protestuesve në veri dhe sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhje të reja.

Të fundit