Flash News

Rajoni

Vetoja bullgare për integrimin/ Shkupi po përgatit përgjigje konkrete për Bullgarinë

Vetoja bullgare për integrimin/ Shkupi po përgatit përgjigje

Shkupi zyrtar është duke punuar për të përgatitur një përgjigje konkrete në Sofje lidhur me nënshkrimin e mundshëm të një protokolli dypalësh me 5+1 pikë, që do t’i japë shtysë heqjes së vetos të vendosur nga Bullgaria për integrimin.

Sipas medieve të huaja, ministri i Jashtëm maqedonas  Bujar Osman  tha se “këto propozime duhet të marrin përgjigje në këto ditë, të cilat do të jenë bazë për raundin e ardhshëm të bisedimeve”.

Osmani deklaroi se presin hapa konkretë sa i përket shkëmbimit të propozimeve teksa theksoi se koha e mjaftueshme për të zhvilluar edhe takime me ekspertë, është 14 ditë.

“Ne presim disa hapa konkretë në ditët në vijim sa i përket shkëmbimit të propozimeve, presim një takim të ekspertëve të dy ministrive për t'u takuar dhe ndoshta për t'iu qasur këtyre këndvështrimeve në kërkim të zgjidhjes. Nëse e kuptojmë peshën e momentit, 14 ditë janë plotësisht të mjaftueshme në bazë të asaj që është bërë deri më tani për të arritur një marrëveshje”, tha Osmani.

Shkupi vazhdon të shpresojë se është e mundur që Bullgaria të ndryshojë qëndrimin e saj dhe të miratojë kornizën negociuese të BE-së deri në fund të vitit, megjithëse Sofja ka konfirmuar vazhdimisht se kjo nuk do të ndodhë.

Protokolli “5 + 1” është diskutuar prej muajsh, me qëllim që të përmbajë garanci ligjërisht të detyrueshme për zbatimin e angazhimeve të marra në Marrëveshjen e 2017-ës.

 

Të fundit