Flash News

Rajoni

Vuçiç betohet si President, Kosovën e deklaron 'pjesë të Serbisë'

Vuçiç betohet si President, Kosovën e deklaron

“Betohem se të gjitha fuqitë e mia do t’i përkushtoj për ruajtjen e sovranitetit dhe tërësisë së territorit të Republikës së Serbisë, duke përfshirë Kosovën dhe Metohinë si pjesë integrale të saj”.

Kështu thuhet në tekstin e betimit që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e ka bërë para deputetëve të Kuvendit më 31 maj, pasi fitoi mandatin e dytë pesëvjeçar në zgjedhjet e prillit.

Teksti i betimit është i përcaktuar me Kushtetutën e Serbisë dhe është në përputhje me preambulën e aktit më të lartë juridik të shtetit, ku thuhet se “krahina e Kosovës dhe Metohisë është pjesë përbërëse e territorit të Serbisë”.

“Vuçiç i përmbahet asaj që është shkruar në Kushtetutë. Sigurisht që mund të ketë dallime të caktuara mes asaj që shkruan dhe realitetit, por kjo nuk mund ta çlirojë atë apo organet e tjera shtetërore nga detyrimi që qëndron në Kushtetutë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, profesori i Fakultetit të Drejtësisë ‘Union' dhe eksperti i të drejtës kushtetuese, Bogoljub Mirosavljeviç.

Preambula u përfshi në Kushtetutën e Serbisë në vitin 2006, pas shpërbërjes së bashkësisë së Serbisë dhe Malit të Zi, kur Vojislav Koshtunica, lideri i atëhershëm i Partisë Demokratike të Serbisë, ishte në krye të Qeverisë në Beograd.

Presidenti i Serbisë ishte për herë të fundit në Kosovë në shtator të vitit 2018, kur vizitoi Ujmanin (Gazivodën) në veri të Kosovës dhe vendet ku jeton popullata shumicë serbe.

Vuçiç kishte planifikuar të vizitonte Kosovën edhe në vitin 2020, por vizita e tij nuk u miratua.

Në një atmosferë tensioni me Prishtinën, ai takohej me përfaqësuesit politikë serbë në Beograd ose udhëtonte në jug të vendit.

 

Të fundit